Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Visa Ymeri i ka
bërë thirrje qeverisë që të dalë në mbrojtje të qytetarëve që kanë
emigruar nga Kosova dhe aktualisht po mbahen në kampet dhe burgjet e
vendeve të ndryshme të BE-së.

“Mendojmë se gjendja është e jashtëzakonshme dhe nuk pret koha për thirrjen e një debati të rregullt parlamentar, i cili do të thirrej nga 6 deputetë, sepse qytetarët e Kosovës nëpër këto vende janë duke u trajtuar në mënyrën më johumane dhe kanë nevojë për ndërhyrjen institucionale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Ymeri ka deklaruar se, nëse qytetarët kosovarë nuk mbrohen, atëherë është qeveria që duhet të emigrojë nga pushteti.

”Çështja numër një është se qeveria duhet të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës kudo që ata ndodhen. Kjo qeveri angazhimin e plotë të saj e ka vënë në funksion të akomodimit juridik, politik e praktik të Serbisë brenda Kosovës dhe nuk është duke bërë ndonjë gjë tjetër”, ka deklaruar Ymeri.

“Duhet të kemi parasysh se qytetarët e vendit po e braktisin Kosovën për shkak të mjerimit ekonomik e social dhe për shkak të humbjes së plotë të besimit në mundësinë që kjo qeveri ta zhvillojë Kosovën. Prandaj, gjëja më e mirë që mund ta bëjë kjo qeveri është të emigrojë nga pushteti”, ka shtuar ai.

Top Channel