Në një komunikatë për shtyp, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaron se Ligji për Amnisti nuk mund të hyjë në fuqi, përderisa kjo gjykatë nuk e nxjerr vendimin e saj përfundimtar, nëse miratimi i tij, përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, apo jo.

“Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, ky ligj apo ky vendim mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese për rastin e kontestuar”, thuhet në deklaratë.

Në njoftim më tej thuhet se, “Gjykata Kushtetuese dëshiron të tërheqë vëmendjen se çdo përpjekje për ta shpallur ligjin apo për ta zbatuar atë është jokushtetuese dhe një akt i tillë është i pavlefshëm. Një ligj që nuk ka hyrë në fuqi, rrjedhimisht, nuk ka pasoja juridike”.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se Republika e Kosovës është shtet i sundimit të ligjit dhe është duke bërë përpjekje të mëdha për t’u bërë anëtare e plotë e institucioneve euro-atlantike dhe për këtë kërkon që Kushtetuta dhe ligjet duhet të zbatohen në tërësinë e tyre për hir të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe prosperitetit të popullit të Kosovës.

Top Channel