Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, rolin e EULEX-it, qeverisë së Kosovës dhe periudhën e tranzicionit.

Pro votuan 63 deputetë, 3 ishin kundër, ndërsa 3 kanë abstenuar. Gjatë debatit pati kritika të shumta lidhur me punën e Eulex-it, ndërsa u tha se është mëse e nevojshme që pas përfundimit të mandatit të Eulex-it të themelohet Gjykata Speciale për krime të luftës.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se me marrëveshje duhet të përfundojë mandati i Eulex-it ashtu siç ka ndodhur me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur: “EULEX-i nuk duhet të ndërmarrë veprime që të na befasojnë dhe e njëjta gjë vlen për ne.”

Më tej, deputetët debatuan ashpër lidhur me hetimet dhe gjykimet ndaj ish-komandantëve dhe ushtarëve të UCK-së nga ana e Eulex-it.

Sipas deputetëve, qasja e Eulex-it ndaj luftës çlirimtare në mungesë të hetimeve për krimet që forcat serbe kanë bërë ndaj popullatës civile shqiptare, është e papranueshme dhe jo e drejtë.
 
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se “Eulex-i nuk e ka njohur luftën e UÇK-së” dhe shtoi se në këtë pikë nuk ka nevojë të ngrihen akt-akuza.
Më tej, Kurti kritikoi qeverinë e cila sipas tij nuk po iu ofron kushte dhe buxhet institucioneve vendase të drejtësisë dhe në këtë mënyrë po e pamundëson zhvillimin normal të institucioneve përgjegjëse të cilat do të duhej të merreshin me çështjet e krimeve dhe korrupsionin në vend.

“Fjala që përdoret më shumë nga politikanët është sundimi i ligjit, por buxheti për sektorin e drejtësisë është më pak se 2% e buxhetit të Kosovës. Prokurorisë i jepet vetëm 0.4% e buxhetit”, theksoi Kurti.
 
Ndërkohë, Ardian Gjini nga AAK-ja kritikoi Eulex-in, por edhe qeverinë për dështime në fushën e sundimit të ligjit. “T’i vijë turp vendimmarrësve që akuzojnë EULEX-in për korrupsionin në vend. Korrupsionin duhet ta luftojmë vetë ne.”

Sipas deputetëve, Eulex-i nuk po e lufton korrupsionin, ndërsa as që ka filluar hetime për mijëra raste të vrasjeve dhe masakrimeve të popullatës civile. Deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në debat.

Top Channel