Kosovë, kthehen 110 emigrantët e parë

25/07/2013 00:00

Të enjten në mëngjes është kthyer në Prishtinë kontingjenti i parë prej
110 migrantësh të Kosovës nga Hungaria, bën të ditur “REL”.

Ata janë kthyer nga një kamp për refugjatë në Hungari në aeroportin e Prishtinës, ku janë pritur nga ministri i Punve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorent Balla.

Me këtë rast, ministri Bajram Rexhepi u ka thënë mediave se të gjithë ata që kërkojnë azil në vendet e Europës do të kenë të njëjtin fat sikurse 110 personat e kthyer, duke inkurajuar kështu kosovarët që të mos marrin rrugën e mërgimit.

Sipas njoftimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Hungari kanë qenë 500 migrantë, që nënkupton se pritet kthimi i organizuar edhe i qindra personave të tjerë.

Rritja e numrit të refugjatëve kosovarë muajve të fundit është shtuar edhe në Austri, Francë e vende tjera. Përfaqësuesit e këtyre shteteve u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosoëvs që të mos e marrin rrugën e migrimit, duke i porositur ata se nuk do të fitojnët ë drejtën e azilit.

Kosova, e katërta në botë për azilkërkues

Kosova, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, është vendi i katërt pas Afganistanit, Sirisë dhe Serbisë për numrin më të lartë të azilkërkuesve, e ndjekur nga Kina dhe Pakistani.

Vetëm në Evropë, gjatë vitit 2012 nga të gjitha vendet në fjalë ka pasur 355 mijë e 500 kërkesa për azil politik, me Gjermaninë si vendin më të preferuar me 64.500 kërkesa, Francën më 54.900 dhe Suedinë me 43.900.

Edhe në Zvicër ka pasur gjithashtu rritje të kërkesave me 25 mijë e 900 të tilla, ndërsa në Britaninë e Madhe me 27 mijë e 400.

Azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor, në veçanti nga Serbia dhe Kosova përbëjnë grupin e tretë të kërkesave për azil me 24 mijë e 800 kërkesa gjatë vitit 2012, që është nja 14 për qind ose 3 mijë më shumë se një vit më parë, thuhet në raportin e UNHCR-së.

Raporti citon edhe shënimet e Zyrës Federale Gjermane të Migrimit dhe Refugjatëve, që thonë se 92 për qind e azilkërkuesve në Gjermani që vijnë nga Serbia dhe Kosova janë me prejardhje rome, ose deklarohen si romë.

Top Channel