Këtë të enjte bëhen dy vjet që kur Njësia Speciale e Policisë së
Kosovës, ROSU, me urdhër të kryeministrit Hashim Thaçi ndërmori aksionin
për të marrë nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës.

Por trupat hasën në pengesat e serbëve dhe strukturave ilegale, nga të cilat mbeti i vrarë agjenti Enver Zymberi, kujton “RTK” në edicionin e saj online.

Zymberi kishte shërbyer fillimisht në stacionin policor në Vushtrri dhe më pas ishte bashkuar me Njësitin Special Operativ në drejtorinë rajonale të policisë së Mitrovicës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i dha atij titullin “Hero i Kosovës”, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Ndërsa sot, nën kujdesin e kryeministrit Hashim Thaçi, do të mbahet një Akademi Përkujtimore me rastin e shënimit të 2-vjetorit të rënies së agjentit.

Serbët e veriut, të revoltuar dhe të përkrahur nga strukturat paralele e kriminale të Beogradit, vendosën barrikadat në atë pjesë të Kosovës dhe që prej atëherë në urën kryesore mbi lumin Ibër gjendet ende një prej tyre.

Top Channel