Irak, 14 të vdekur në barrikadën e improvizuar

25/07/2013 02:40

Njerëz të armatosur kanë qëlluar për vdekje 14 persona, pasi kontrolluan letrat e tyre të identitetit, në një barrikadë të improvizuar, njofton policia irakiane.

Vrasjet ndodhën në një rrugë kryesore, ditën e mërkurë, pranë Sulaiman Pek, 160 km në veri të kryeqytetit Bagdad, pas përplasjeve në qytet mes militantëve dhe forcave të sigurisë.

“Të gjithë viktimat ishin shoferë tankesh shiitë, që vinin nga Bagdadi drejt Kirkuk-ut”, tha Talib Mohammed, kryebashkiak i qytetit për agjencinë e lajmeve Reuters. “Militantët u bllokuan atyre rrugën pranë Sulaiman Pek, kontrolluan identitetet e tyre dhe më pas i ekzekutuan”.

Më herët, disa të armatosur i zunë pritë një minibusi në Tikrit, 150 km në veri të Bagdadit, duke qëlluar për vdekje 4 ushtarë, që po udhëtonin nga Bagdadi për në Mosul.

Nëntë policë janë vrarë gjithashtu, kur militantët janë ngjitur mbi kamionë dhe kanë hapur zjarr në një pikë kontrolli në Shura, 50 km në jug të Mosul-it, qyteti i tretë më i madh i Irakut, si dhe kryeqytet i provincës Nineveh, të populluar kryesisht nga sunitë.

Top Channel