Australi, zgjidhje ushtarake emigracionit?

25/07/2013 00:00

Opozita në Australi ka kërkuar një zgjidhje ushtarake për të luftuar
trafikantët e qënieve njerëzore, pasi bilanci i viktimave të mbytjes së
një varke me emigrantë u ngjit në 11 vetë.

Lideri i opozitës, Tony Abbott deklaroi se problemi është një emergjencë kombëtare dhe bëri me dije se do t’i kërkojë një komandanti ushtarak për të frenuar ardhjen e varkave, nëse zgjidhet.

Varka me emigrantë u mbyt ditën e mërkurë në ishullin indonezian të Xhavës, një pikë strategjike tranziti për trafikun e klandestinëve.

Politikat për azilin pritet të jenë një çështje kyçe në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen këtë vit në Australi, vend që ka përjetuar një rritje të numrit të azilkërkuesve që mbërrijnë me varkë.

“Ka një emergjencë kombëtare për kufijtë tanë. Ja përse duhet të kemi një oficer të vjetër ushtarak në krye të operacioneve të kontrollit”, ka deklaruar Abbott.

Në bazë të planit, të quajtur Operacioni për Sovranitetin e Kufijve, shefi i forcave të armatosura do të zgjedhë një komandant për të frenuar trafikun klandestin.

Komandanti nga ana e tij do të raportojë direkt tek ministri për Emigracionin, duke i dhënë jetë një zinxhiri të qartë komande, ka saktësuar Abbott.

Varkat në të cilat udhëtojnë emigrantët janë shpesh herë të tejmbushura dhe të konsumuara. Shumë prej tyre janë mbytur në muajt e fundit duke u marrë jetën pasagjerëve.

Top Channel