Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, pritet
të vazhdojnë të mërkurën në Bruksel raundin e ri të bisedimeve me
ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, diskutimi për organizimin e zgjedhjeve lokale, me theks të veçantë në  komunat në veri të Kosovës si dhe formimi i asociacionit të komunave serbe, pritet që të dominojnë agjendën e takimit Thaçi – Daçiç.

Përveç çështjeve politike, kryeministrat Thaçi e Daçiç pritet të diskutojnë sërish edhe çështjen e telekomit dhe energjisë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar se Kosova, për faktin që nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, mund të marrw kodin e vet ndërkombëtar +383 nga një vend evropian i cili do të aplikonte tek Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit – ITU, dhe më pas do t’ia falte këtë kod Kosovës.

Sidoqoftë, bisedimet në nivel të kryeministrave si dhe ato në nivele teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pritet të jenë intensive gjatë gjithë verës. Këtë e pati deklaruar vet Baronesha Catherine Ashton e cila u ka kërkuar palëve që t’i zbatojnë zotimet e marra me marrëveshjet e arritura.

Top Channel