Përfundoi pa marrëveshje përfundimtare, takimi i dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, sa i takon telekomunikacionit dhe energjitikës.
Në një deklaratë, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kethrin Eshton tha se të dy kryeministrat, Hashim Thaci dhe Ivica Dacic, diskutuan edhe për zgjedhjet komunale të 3 nëntorit në Kosovë.
“Ata u pajtuan se duhet të ndërmerren veprime konkrete, për të siguruar pjesëmarrje të mirë në këto zgjedhje. Puna e zbatimit të marrëveshjes do të vazhdojë në javët që vijnë, me ritëm të njëjtë”.
Në Bruksel, Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Serbisë nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit mes tyre. Drejtuesit e të dy Odave u pajtuan për themelimin e një organi të përbashkët, për identifikimin e pengesave të tregtisë dhe gjetjen e mënyrave për përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Marrëveshja është pjesë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Zbatimi i paktit është kusht për përparimin e tyre drejt strukturave europiane.
Marrëveshja i mundësoi Kosovës hapjen e negociatave për Stabilizim-Asociim, ndërsa Serbisë ato për anëtarësim në Bashkimin Europian, në muajin janar të vitit 2014. Por, data e saktë e fillimit të tyre do të përcaktohet pas vlerësimeve të zbatimit të marrëveshjes në terren.
Top Channel