Agjencia Kosovare për Produktet Mjekësore tërheq nga tregu të gjitha produktet mjekësore të importuara nga kompanitë serbe: “Hemofarm AD”, “FHI Zdravlje AD” dhe “Jugoromedia AD”.

Ky vendim është marrë pasi INTERPOL, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se asnjë nga këto produkte nuk ka çertifikatë të rregullt. Një gjë e tillë u bë e ditur në konferencën e përbashkët të AKPM dhe Doganave të Kosovës.

“Më mirë vonë se kurrë dhe le të garantohet një herë e përgjithmonë se çdo produkt që hyn në Kosovë të jetë konform standardeve më të larta jo vetëm të rajonit, por edhe të Evropës edhe pacientët tanë kanë më pas qasje që çdo produkt në gjuhen e tyre që t’i dinë efektet anësore”, deklaroi Ilir Dushi, drejtor ekzekutiv i AKPM-së.

Nga data 5 korrik, në bashkëpunim me Doganat e Kosovës, duke e parë si gjendje alarmante mungesën e kontrollit të detajuar të produkteve mjekësore, Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore ka vendosur inspektorë farmaceutikë në dy pika doganore.

“Është vërejtur një mospërputhje e madhe me dokumentacionin e lëshuar nga AKPM-ja dhe pajisjeve medicinale të prezantuar për zhdoganim në këto pika doganore”, ka sqaruar Basri Rexha, inspector farmaceutik.

Mungesa e udhëzimeve për pacientët në gjuhët zyrtare në disa produkte është problem tjetër me të cilin po përballet AKPM-ja. Nga ky institucion vjen premtimi se këtej e tutje asnjë produkt që nuk është i pajisur me udhëzimet përkatëse në gjuhët zyrtare nuk do të hyjë në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA