Misioni për sundimin e ligjit EULEX kërkon kthimin në paraburgim të kryetarit të Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku. Ai, së bashku me Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Sulejman Selimi prej disa ditësh ndodhen të shtruar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Që të dy janë nën hetim nga EULEX nën dyshimin për krime lufte. Shefi i repartit të ortopedisë së përgjithshme në QKUK, Sami Delijaj tha se Lushtaku është dërguar nga Burgu i Dubravës, si rast urgjent dhe me rekomandim të Spitalit Rajonal të Pejës, pasi kishte dhimbje të forta të gjurit dhe se ka nevojë për ekzaminime të mëtejshme.

Duke folur për agjencinë Kosovapress, mjeku thotë se kemi të bëjmë me një lloj paqendrueshmërie të një segmenti të rëndësishëm të kolonës vertebrore dhe dyshohet se njëra nga unazat ka pasur një rrëshqitje, çka ka shkaktuar edhe dhimbjet e pacientit dhe se pacienti duhet të vazhdojë procedurat diagnostikuese.

Edhe për ambasadorin Sylejman Selimi, i cili  vazhdon të trajtohet në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, mjekët  thonë se gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar, por jo në mënyrë të kënaqshme.

“Është pranuar para tri ditesh. kemi filluar me analiza rutinë dhe deri  tani mund të themi se gjendja është duke u përmirësuar, por jo e kënaqshme. Deri më tani është konstatuar se ka gurë në tëmth”, deklaron shefi i Klinikës së Kardiologjisë Sami Gjokaj.

Sipas tij, edhe ambasadori Selimi duhet të qëndrojë në spital deri në ekzaminimin e plotë dhe diagnostikimin e sëmundjes.

Top Channel