Policia greke, në bashkëpunim me Administratën amerikane të Anti-drogës dhe ndihmën e Guardia di Finanza, sekuestroi pasditen e së mërkurës 240 kg kokainë të pastër.

Lajmi u bë publik nga autoritetet lokale, të cilat njoftuan përfundimin me sukses të operacionit, që nisi një muaj më parë e që u shtri nga Amerika Latine deri në Europë.

Sipas policsë greke, sasia e drogës ishte fshehur në një kontenier me banane dhe ishte ngarkuar në Kolumbi. Pasi kishte përshkuar në rrugë detare Atlantikun, anija me ngarkesën e drogës u ankorua në Itali dhe në vazhdim u dërgua në Athinë me një kamion.

Forcat greke të sigurisë, të njoftuara nga kolegët amerikanë, gjetën të fshehur sasinë e kokainës, e cila vlerësohet si një ndër më të mëdhatë të kapura ndonjëherë në vend.

Vlera e saj llogaritet në miliona euro. E ndërsa operacioni për arrestimin e porositësve të drogës vazhdon ende, në duart e policisë kanë rënë të paktën 5 vetë, të cilët akuzohen se kanë marrë pjesë aktive në këtë trafik.

Hetimet janë shtrirë edhe në ishullin e Rodosit, ku dyshohet se fshishet edhe kreu i kësaj organizate të trafikut të narkotikëve.

Top Channel