E gjithë administrata e komunës më të madhe me shumicë serbe, asaj të Graçanicës do të zhvendoset tashmë në një godinë të re. Ndërtesa është e para e këtij lloji në një komunë të re, që ndërtohet me ndihmën e Bashkimit Europian.

Duke folur në serbisht, shefi i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar uroi që të ketë  mundësinë të përurojë sa më shumë ndërtesa të tilla në të ardhmen.

“Jam shumë i kënaqur sepse kam rastin qe bashkë me Kryeminstrin, ministrin dhe kryetarin e Komunës po bëjmë hapjen solemne të ndërtesës së parë komunale, e cila është ndertuar me ndihmën e fondeve të BE-së në një komunë të re. Mendoj se është shumë simbolike që është pikërisht Graçanica, komuna më e madhe ndër komunat me shumicë serbe, vendi ku është ndertuar kjo ndërtesë, e gatshme për zhvendosjen e administratës dhe sigurimin e shërbimeve për qytetarët”, tha Zhbogar.

Në ceremoninë e përurimit, kryeministri Hashim Thaci foli për rëndësinë e investimeve të tilla në Kosovë.

“Zotimi im sot si kryeministër i Kosovës është se ne do të jemi afër të gjithë qytetarëve të vendit në Graçanicë dhe kudo, në Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq për të investuar në projektet për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kosova është atdheu ynë dhe ne duhet ta ndërtojmë bashkërisht”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa për kryetarin e Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviç, projekte të tilla nuk duhet të politizohen.

“Gjithsesi që kemi të drejtë të jemi të bashkuar, të evidentojmë problemet tona dhe politikat t’i lëmë anash, në vendin ku ato ndodhin. Duhet të vendosim a do të qendrojmë këtu dhe cfarë na nevojitet për të arritur këtë qellim, në mënyrë që të mos bëhet vonë. E nëse është kështu, atëherë çdo proces mund të politizohet dhe kjo nuk do të kisha dëshirë të ndodhte dicka e tillë”, tha Bojan Stojanoviç, kryetar i Komunës së Graçanicës.

Ndërtimi i objektit të ri të komunës së Graçanicës, i kushtoi Bashkimit Europian mbi gjysmë milioni euro.

Top Channel