Gjermani, fushatë anti-naziste me postera

24/07/2013 03:20

Një fushatë posterash ka nisur në Gjermani, që synon të gjurmojë të mbijetuarit e fundit të kriminelëve nazistë të luftës, si dhe dërgimin e tyre para drejtësisë.

Rreth 2000 postera, që tregojnë hyrjen e kampit vdekjeprurës nazist, Auschwitz, u kërkojnë njerëzve të japin më tepër informacione nga ato të publikuara në Berlin, Hamburg dhe Këln.

Qendra “Simon Wiesenthal”, me seli në Amerikë, ofron shpërblime për informacione të dobishme, teksa përllogariten rreth 60 persona, që janë gjallë në Gjermani dhe të aftë për të dalë në gjyq.

Disa prej tyre dyshohen se kanë shërbyer si roje, në kampet e përqëndrimeve naziste, apo të kenë qenë anëtarë të skuadrave të vdekjes, përgjegjëse për vrasjet masive, veçanërisht në vitet e para të luftës.

“Për fat të keq, shumë pak njerëz përgjegjës për krimet janë dënuar”, tha Efraim Zuroff, kreu i gjurmimit ndërkombëtar anti-nazist dhe drejtor i degës së Jeruzalemit në qendër. “Kalimi i kohës nuk i zvogëlon në asnjë mënyrë krimet e kryera”.

Si pjesë e projektit “Operacioni Shansi i Fundit 2”, qendra ofron shpërblime deri në 25 mijë euro për informacionet, që do të ndihmojnë në çuarjen për ndjekje penale të kriminelëve të luftës në Gjermani.

Top Channel