Egjipt, ushtria thërret protesta

24/07/2013 00:00

Protestave të mbështetësve të presidentit të rrëzuar, ushtria u përgjigjet me protesta. Shefi i Shtabit të ushtrisë egjiptiane, ftoi qytetarët të dalin në protestë ditën e premte në mbështetje të ushtrisë në luftën “kundër terrorizmit dhe dhunës”.

Abdel Fattah al-Sisi tha se dëshiron që me këtë protestë populli t’i japë ushtrisë një shtysë në luftën kundër dhunës dhe terrorizmit me të cilin po përballet vendi së fundmi. Ai tha se thirrja e tij nuk ishte për të nxitur dhunën, por për të treguar unitet kombëtar.

Ndërkohë, trazirat në vend vazhdojnë. Shpërthimi i një bombe të telekomanduar pranë një stacioni policie i mori jetën një agjenti dhe plagosi dhjetra persona të tjerë, mes të cilëve edhe civilë.

Bomba ishte vendosur në pjesën e poshtme të një automjeti të parkuar pranë godinës së stacionit policor në qytetin e Mansoura-s, ndërkohë që në Kajro persona të armatosur të paidentifikuar qëlluan për vdekje dy mbështetës të ish-presidentit Morsi.

Të paktën 100 persona kanë gjetur vdekjen nga trazirat dhe përleshjet që kanë përfshirë Egjiptin që nga 3 korriku, kur ushtria rrëzoi presidentin Morsi dhe mori kontrollin e vendit.

Korrespondenti i BBC në Kajro thotë se incidentet e fundit tregojnë qartë se kriza politike në Egjipt, jo vetëm që nuk po gjen zgjidhje, por po përkeqësohet dhe vendi po shkon drej përcarjes së thellë.

Mbështetësit e ish-presidentit Morsi mblidhen cdo ditë pranë Universitetit të Kajros dhe sheshet e qyteteve të tjera ku kërkojnë rikthimin e tij në detyrë. Ndërkohë, familjarët e Morsit akuzuan ushtrinë se po e mbajnë peng atë.

Nga ana tjetër, presidenti në detyrë, Adly Mansour ripërsëriti thirrjet për dialog mes palëve për hartimin e Kushtetutës provizore të vendit, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, që pritet të zhvillohen në fillim të vitit të ardhshëm.

Por thirrjeve të tij, “Vëllazëria Muslimane”, lëvizja politike që mbështet Morsin, u është përgjigjur negativisht duke e kushtëzuar dialogun me rivendosjen e Morsit në krye të vendit, rikthimin në fuqi të Kushtetutës së vjetër dhe largimin e ushtarakëve nga jeta politike.

Top Channel