Ende nuk dihet se kur do të ngriten tre përmendoret e heronjve shqiptarë në kryeqendrën e Maqedonisë, në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, ndërkohë që deri tani janë vendosur thuajse të gjitha bustet e figurave maqedonase të parapara në këtë projekt.

Kryetari i ri i komunës Qendër në Shkup, që vjen nga radhët e opozitës maqedonase Andrej Zhernovski, ka marrë vendim për të mos lejuar ngritjen e përmendoreve të reja, por ai sqaron se ky vendim nuk vlen për bustet e parapara të figurave shqiptare. Zhernovski vlerëson se mosngritja e deritanishme e përmendoreve të heronjve shqiptarë është bërë me qëllim për të provokuar.

“Unë kam realizuar disa takime me partitë e shqiptarëve dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm pse pikërisht përmendoret e shqiptarëve ende nuk janë vendosur. Qëllimi është i qartë, dikush po tenton të provokojë dhe më duhet të them se ky projekt ishte i qeverisë. Unë asnjëherë nuk i kam ndarë përmendoret sipas etnisë. Me ardhjen time në krye të komunës Qendër projekti do të stopohet, por kjo nuk do të vlejë për bustet e shqiptarëve, pasi vendimi për sjelljen e tyre është miratuar vite më parë. Thjesht, nuk do të lejoj të sillen vendimet për përmedore të reja”, ka deklaruar Zhernovski.

Për shkak të kostos shumë të lartë që arrin mbi 1.6 milion euro për katër vite, Zhernovski ka marrë vendim që komuna e tij të mos mirëmbajë bustet dhe ndërtesat e tjera të projektit “Shkupi 2014”.

Ndërkohë, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të miliona eurove të shpenzuara në këtë projekt, zyra e Transparency International në Shkup ka paralajmëruar se t’i bëjë një rishikim këtij projekti kontrovers.

Karakteri monoentik i “Shkupit 2014” shkaktoi reagime të ashpra tek shqiptarët. Kundërshtime pati edhe nga shtetit helen, i cili akuzoi Shkupin se po tenton të përvetësojë figurat historike greke, siç ishte rasti i ngritjes së përmendores gjigande të Aleksandrit të Madh në sheshin e kryeqytetit të Maqedonisë, që Athina zyrtare pretendon se ka qenë grek.

Top Channel