Pas 4 muajsh arrati, Marian Kola, shqiptari i arratisur nga burgu i Triakalas dhe i vrarë ditën e dielë nga policia greke, është përcjellë në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes, në Vig.

Familjarë të Marian Kolës hedhin poshtë të gjitha akuzat që shteti grek ka ngritur mbi të, duke i cilësuar ato si mashtrime. Babai i Marian Kolës tregon për Top Channel se si e ka marrë vesh lajmin për vrasjen e djalit të tij dhe tregon se në të njëjtën orë që ka ndodhur vrasja, forcat e policisë shqiptare kishin rrethuar banesën e tij dhe i kanë shoqëruar të gjithë pjesëtarët e fisit Kola.

“Unë nuk e kam marrë vesh lajmin menjëherë. Më kanë shkatërruar shtëpinë dhe më kanë çuar në komisariatin e Shkodrës. Ata mendonin se Marjani ishte në shtëpi. Kur isha atje më mori gruaja në telefon që më dha lajmin. Policia greke ka bërë atë që ka dashur”, thotë Pashk Kola.

Ndërkaq, xhaxhai i Marian Kolës, duke u ndalur tek akuzat e policisë greke, shton se në rastin e vrasjes së një shtetaseje greke, ngjarje për të cilën u akuzua Marian Kola, ky i fundit ka qenë në Shqipëri: “Më erdhën në shtëpi pasi mendonin se kisha strehuar Marianin dhe më thanë që kishin ardhur për të kapur kriminelin. Mariani nuk ka qenë kriminel pasi kur është vrarë gruaja greke, ai ka qenë në Shqipëri.”

Pjesëtarët e familjes Kola tashmë janë në pritje të hetimeve që po kryen nga pala greke, por ata hedhin hije të forta dyshimi lidhur me mënyrën e vrasjes së të afërmit të tyre, pasi sipas tyre, ata nuk janë lejuar të shohin aktet e autopsisë dhe nuk u është vënë në dispozicion asnjë material lidhur me dinamikën e ngjarjes.

Top Channel