Vret gruan me thikë në zemër

22/07/2013 00:00

Një tjetër krim në familje është regjistruar në Tiranë, ku burri vret me
thikë bashkëshorten e tij. Ngjarja e radhës është regjistruar pasditen e
djeshme, në periferi të kryeqytetit, në fshatin Hekal, ku viktimë ka
mbetur një 17-vjeçare, e cila kishte një vit e gjysmë e martuar me
fqinjin e saj Ersi Gjoshi, 26 vjeç.

Sipas policisë, viktima është Anxhela Haga, e cila ka gjetur vdekjen nga një goditje e vetme me thikë, në zemër. Nga të dhënat paraprake dyshohet se motivi i vrasjes ka ndodhur prej gjendjes depresive të autorit të dyshuar për krimin, i cili prej muajsh kurohej. Mësohet se autori i dyshuar i krimit nuk ka lëvizur prej banesës, po i është dorëzuar policisë pa bërë rezistencë.

Ngjarja

Gjoshi i ka marrë jetën bashkëshortes së tij në mënyrën më makabre. Para se ai ta ekzekutonte me thikë, fillimisht ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Në trupin e Hagës janë gjetur shenja dhune, sidomos në pjesën e fytit. Dyshohet se 26-vjeçari para se t’i ngulte thikën, është përpjekur që ta mbysë me duar të miturën. Kjo e fundit ka luftuar për të mbijetuar, por ka qenë e kotë. Në pamundësi për të arritur atë që kishte në mendje, i riu e ka qëlluar me thikë direkt në pjesën e gjoksit, duke i shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme. Skena e krimit është zhvilluar në dhomën e pritjes së miqve dhe në momentet e konfliktit, çifti ka qenë i vetëm, pasi pjesa tjetër e familjes ka qenë e shpërndarë në ambiente të tjera të banesës. Ndonëse ata kanë debatuar për minuta të tëra, babai i autorit nuk ka mundur që të dëgjojë asnjë lloj zhurme, pasi ka qenë në gjumë. Më pas autori i dyshuar i krimit ka dalë në oborr, për të pritur që i ati të zgjohej, sepse do të shkonin që të punonin tokën. Ky i fundit e ka parë të birin me njolla gjaku në rroba dhe e ka pyetur se çfarë kishte ndodhur. Me një gjakftohtësi të madhe, ai i ka treguar për vrasjen. “Jam me gjak se vrava gruan me thikë”, i është përgjigjur Ersi Gjoshi të atit. I alarmuar ai e ka pyetur të birin se përse e kishte bërë një krim të tillë, por 26-vjeçari nuk i ka dhënë asnjë përgjigje. Mjaft i habitur për krimin ka mbetur edhe babai i viktimës, i cili është shprehur në polici se nuk ka qenë në dijeni të konflikteve të çiftit. “Ata kanë qenë të dashuruar me njëri-tjetrin dhe vajza ime nuk më ishte ankuar që kishte probleme me të shoqin”, ka thënë ai para grupit hetimor.

Policia

Një telefonatë ka mbërritur në sallën operative të policisë nga një banor i zonës. Ai ka thënë se në fshatin Hekal ka ndodhur një krim, pa e përcaktuar nëse bëhet fjalë për vrasje apo për vetëvrasje. Denoncuesi ka dhënë informacion edhe për vendin ku dyshonte se kishte ndodhur ngjarja. Menjëherë pas kësaj, një patrullë policie ka mbërritur në banesën e familjes Gjoshi, për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Në momentin që ata shkojnë te skena e krimit, gjejnë të larë me gjak trupin e pajetë të Anxhela Hagës, e cila kishte gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë në banesë gjejnë edhe autorin e vrasjes, Ersi Gjoshin, i cili priste policinë. Ai ndodhej në një gjendje shoku dhe është dorëzuar pa bërë as më të voglën përpjekje për t’u arratisur. Gjoshi është arrestuar në flagrancë dhe më pas është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për t’u marrë në pyetje për motivin e vrasjes së bashkëshortes së tij, me të cilën kishte pak kohë që ishte martuar. Nga të dhënat paraprake mësohet se pavarësisht mosmarrëveshjeve që çifti ka pasur, e mitura nuk e ka denoncuar asnjëherë të shoqin për ushtrim dhune në polici, duke u treguar tolerante me shpresën se ai do të përmirësohej pas kurimit. Nga të dhënat paraprake mësohet se Ersi Gjoshi e ka kryer vrasjen në gjendje depresive dhe se prej dy muajsh ai merrte medikamente. Babai i autorit të dyshuar për krimin, në dëshminë e tij të dhënë para grupit hetimor, ka shprehur habinë për veprimin ekstrem të të birit. “Nuk e kuptoj se si ndodhi një ngjarje e tillë. Ata të dy e kanë dashur shumë njëri-tjetrin dhe nuk kanë pasur probleme. Im bir prej dy muajsh merrte medikamente, pasi vuante nga depresioni, por nuk mendova se situata do të merrte këto përmasa”, është shprehur babai i 26-vjeçarit në polici. Gjithsesi hetimet po vijojnë për zbardhjen e mëtejshme të vrasjes dhe rrethanave se si lindi konflikti.

Top Channel