Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar rinumërimin e votave për Qarkun e Lezhës, ku deri më tani diferenca mes Aleancës për Shpërinë Europiane dhe Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, është thelluar nga 39 në 793 vota në favor të koalicionit të djathtë.

Gjatë orëve të pasdites, janë hapur kutitë e KZAZ 15, ku përfshihet qyteti i Laçit. Kjo KZAZ është kontestuar ashpër nga Partia Socialiste, e cila ka kërkuar pavlefshërinë për 6 Qendra Votimi.

Nga 60 kutitë e numëruara deri në orë 22:30, kanë rezultuar vetëm probleme të vogla lidhur me mosrakordimin e votave, ose plotësime me gabime të proces-verbaleve përfundimtar, të cilat nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha në rezultatin përfundimtar.

Ndërkaq, mësohet se numërimi për KZAZ 15, e cila ka gjithsej 74 kuti do të vijojë deri në përfundimin e tyre, çka do të sjellë dhe mbylljen e procesit të rinumërimit për Qarkun e Lezhës.

Ndërkaq, gjatë paraditës janë hapur kutitët e KZAZ 14, ku edhe në këtë KZAZ, pas rinumërimit janë konstatuar vetëm probleme të vogla të plotësimeve me gabime të proces-verbaleve.

I vetmi konstatim, i cili mund të konsiderohet më i rëndë, ka qenë ai në Qendrën e Votimit 0810, ku në proces-verbalin e KZAZ ishin shënuar 535 fletë votimi të gjetura në kuti, ndërsa pas rinumërimit ka rezultuar se gjendeshin 515 fletë votimi. Ky konstatim solli dhe ndryshimin e votave për Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila nga 50 vota, tashmë ka 30 vota në këtë qendër votimi.

Top Channel