Gjatë takimeve të zhvilluara në Sukth, Rrashbull e Kashar, kandidati për kryetarin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, ka theksuar se kryetari i PD-së duhet të jetë në Parlament.
“Unë e njoh strukturën e Partisë Demokratike shumë mirë, sepse kam hyrë në PD si militant, siç keni hyrë ju të gjithë dhe pastaj kam ngjitur dhe kam zbritur shkallë, deri sa kam arritur këtu ku jam. Avantazhi i dytë, që kam në këtë garë, është eksperienca opozitare. Të gjithë ata, që janë anëtarë të vjetër të Partisë Demokratike dhe militantë të vjetër, e dinë që një parti në opozitë vepron krejt ndryshe nga një parti në pushtet. Avantazhi i tretë është të qënit në Parlament. Debati politik atje e ka arenën dhe atje duhet të zhvillohet. Ne e kemi parë këto vite, kur ne kemi qenë në pushtet, se sa i pabarabartë ka qenë debati në Parlament. Ju të gjithë e dini, që në asnjë ditë të vetme, në asnjë seancë të vetme, Sali Berishën nuk e konkuroi kush në Parlament. Sepse nuk kishte asnjë autoritet, që t’i dilte përballë Berishës. Tani duhet të shikojmë të kundërtën, aty do të jetë kryeministri i atyre dhe duhet, patjetër, që aty të jetë kryetari i opozitës. E fundit, që është avantazh, është koha. Unë e kam të gjithë kohën në dispozicion të reformës dhe ristrukturimit të partisë dhe Partia Demokratike, në këtë moment, ka nevojë për shumë kohë, sepse ka nevojë për shumë reformime dhe ristrukturime, të cilat duhet të ndiqen me precedencë”, theksoi Olldashi.
Ndërkaq, kandidati tjetër për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar prezantimin e platformës së tij për drejtimin e Partisë Demokratike në Durrës dhe Kavajë. Basha ka theksuar se vetëm të bashkuar, demokratët do të mund të kthehen shpejt në qeverisjen e vendit dhe vazhdimin e realizimit të ëndrrës europiane të shqiptarëve.
“Më lejoni të ndaj një rrëfim me ju! Që nga ditët e para, kur miq, dashamirës, njerëz që duan të më shohin si kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre pyesnin: “Kë ke në Durrës, kë ke në Vlorë, po në Shkodër kë kemi, në Korçë kë ke, po në Gjirokastër kë kemi!? Dhe përgjigja ime ka qenë vetëm një: Në Durrës, në Korçë, në Shkodër, Gjirokastër, në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë kam dhe kemi Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë e Sali Berishës, partinë e Azem Hajdarit. Vetëm kështu, të bashkuar, vëllezër dhe motra, do të nisim një rrugëtim të fuqishëm, për rikthimin sa më shpejt në krye të asaj që na takon”, deklaroi Basha.
Olldashi falënderon demokratët
“Mbi gabimet të ndërtojmë një eksperiencë dhe mbi të, një strategji suksesi”
Pasdite, Sokol Olldashi doli në një konferencë për shtyp, ku falënderoi të gjithë anëtarët e PD për atë që e cilësoi një proces pozitiv dhe serioz.
Ai u shpreh se “mënyra më e mirë për një fillim të ri dhe një rikthimi të shpejtë është që mbi gabimet të ndërtojmë një eksperiencë dhe mbi eksperiencën një platformë suksesi.
“Për mua kanë qenë 19 ditë të jashtëzakonshme takimesh me strukturat e Partisë Demokratike në të gjitha degët e saj. Kam folur dhe më kanë folur, më kanë dëgjuar dhe i kam dëgjuar. Kemi konkluduar se mënyra më e mirë për të shënuar një fillim të ri dhe një rikthim të shpejtë është që mbi gabimet të ndërtojmë një eksperiencë dhe mbi këtë të fundit një platformë suksesi. Ne na duhet me shpejtësi të përcaktojmë se: vetëm duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze kufinjve politik të qendrës së djathtë; duke identifikuar qartësisht një skenë politike dypolare, me partinë e vjetër të punës – të rithemeluar edhe një herë më 1 prill – nga njëra anë dhe Partinë Demokratike nga ana tjetër; duke konsoliduar marrëdhënien tonë me të përndjekurit, pronarët, botën intelektuale, të rinjtë dhe biznesin; duke ndërmarrë një opozitë parlamentare energjike, të paepur, të mirëstrukturuar dhe të pakompromis; duke riorganizuar mekanizmin e Partisë Demokratike përmes inventarizimit të menjëhershëm të kontributeve të secilit prej anëtarëve, ne do të rikthehemi te fitorja në përballjen e parë elektorale, në zgjedhjet lokale të vitit 2015”, deklaroi Olldashi.
Top Channel