“KQZ po shkel Kodin Zgjedhor”

20/07/2013 00:00

PS dhe LSI kanë dënuar ashpër inisiativën e KQZ-së për hapjen e të
gjitha kutive të votimit për zgjedhjet në njësitë zgjedhore të Qarkut
Lezhë dhe Qarkut Shkodër.

Sipas Ilirian Celibashit dhe Luan Ramës, të tilla vendime janë të marra haptazi dhe tërësisht në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

“4 anëtarët e KQZ, nuk mundën që as edhe formalisht të paraqisnin një shkak, apo edhe një pretekst ligjor për këtë vendimmarrje. Të hapësh të gjitha kutitë e votimit të këtyre Qarqeve, kur asnjë prej palëve të interesuara në këtë proces shqyrtimi nuk e ka kërkuar këtë dhe kur për vetë KQZ nuk ka asnjë indicie qoftë edhe periferike, përbën një  sjellje arrogante, si dhe tërësisht në kundërshtim me ligjin nga ana e KQZ-së”, tha Celibashi.

Është e qartë për të gjithë se çfarë po ndodh aktualisht në KQZ, – deklaroi Celibashi, – është rrjedhojë e presionit politik të pakicës në largim”.

“Edhe pse edhe nxitësit e kësaj iniciative ashtu sikurse edhe Partia Socialiste e kanë të qartë se në fund të fundit asgjë nuk do të ndryshojë në kuptimin e rezultatit zgjedhor, Partia Socialiste e denoncon këtë akt të papërgjegjshëm të KQZ dhe të nxitësve politikë të tij.E vetmja pasojë që do të vijë nga kjo që po ndodh është komprometimi akoma edhe më shumë i vlerave profesionale të 4 anëtarëve të mbetur të KQZ-së, si edhe komprometimi i vullnetit të qeverisë në largim për të bërë një rotacion qeverisës të denjë për një vend europian”, theksoi Celibashi.

Ndërsa nga selia e LSI-s Luan Rama, sekretar i Përgjithshëm i kësaj force politike akuzoi KQZ-në se është duke vepruar me standarde të dyfishta.

“Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj edhe një fakt tjetër që dëshmon se kjo gjysmë-KQZ po aplikon, në kundërshtim me ligjin, dy standarde. Kemi rastin e qëndrimit ndaj kërkesës legjitime dhe të argumentuar që bëri Lëvizja Socialiste për Integrim për rinumërim të votave në 15 kuti apo në 15 qendra votimit të Qarkut të Kukësit. Kërkesë që nuk u pranua nga kjo gjysmë-KQZ, ndërkohë që për rastin e Lezhës, apo të Qarkut të Lezhës, aplikon një standard të ndryshëm, një standard tjetër edhe pse nuk kërkoi njeri rinumërimin e qendrave të votimit në të gjitha KZAZ-të e kësaj zone zgjedhore, ashtu siç veproi edhe me Qarkun e Shkodrës”, theksoi Rama.

Kjo sjellje e kësaj gjysmë KQZ-je,  – tha Luan Rama,- është reflektim i nervozizmit dhe shenjë e dëshpërimit për humbjen dhe rezultatin katastrofik që qytetarët i dhanë PD-së dhe koalicionit të saj.

“Qëndrimi i LSI-së është i qartë dhe i prerë që, cilido individ apo trupë zgjedhore, në të gjitha nivelet e hiearkisë zgjedhore, referuar Kodit Zgjedhor që ka cënuar, deformuar apo kontaminuar procesin zgjedhor, duhet dhe do të përgjigjet ligjërisht”, tha Luan Rama.

Top Channel