Kinë, shpërthim në aeroportin e Pekinit

20/07/2013 00:00

Mediat botërore raportojnë për një shpërthim në terminalin 3 të aeroportit ndërkombëtar të Pekinit, i cili mendohet të jetë shkaktuar nga një burrë në karrike me rrota.

Fotot e postuara në internet treguan një mashkull me flokë të zeza që mbante në duar një pako të bardhë pak përpara incidentit.

Në pamjet e mëvonshme shihej karroca e invalidit e rrëzuar në një anë dhe zyrtarët që po trajtonin dikë të shtrirë në tokë. Fillimisht u tha se burri kishte humbur jetën nga shpërthimi që e mbuloi në tym të gjithë terminalin.

Por televizioni shtetëror kinez CCTV njoftoi më pas se personi në qendër të incidentit, i identifikuar si Ji Zhongxin, nga provinca verilindore Shandong, ka mbetur i plagosur e po merr trajtim mjekesor në spital.

Nje blog kushtuar 34-vjeçarit pretendon se gjesti i tij ekstrem ishte një formë proteste ndaj keqtrajtimeve të policise. Sipas blogut në fjale, Zhongxin mbeti i paralizuar nga mesi e poshtë pas rrahjes së egër që i kishin bërë disa agjentë të sigurisë në vitin 2005.

Agjencia e lajmeve “Xinhua” njofton se i riu shpërtheu pakon të mbushur me barut të marrë nga fishekzjarret, pasi i ishte ndaluar të shpërndante disa fletëpalosje.

Për fat të mirë asnjë person tjetër nuk mbeti i plagosur nga shpërthimi, që mbushi përkohësisht terminalin numër 3 me tym. Autoritetet kineze deklarojnë se rendi dhe siguria janë rivendosur dhe se në aeroport nuk ka pasur ndërprerje të fluturimeve.

Top Channel