G20-a mbështet planin kundër evazionit

20/07/2013 00:00

Ministrat e Financave të vendeve anëtare të grupit G20 kanë mbështetur formalisht planet për të frenuar shmangien e taksave dhe evazionin ndërkombëtar.

Një deklaratë për shtyp e lëshuar më herët shprehte gatishmërinë e ministrave për të shkëmbyer informacione në rang ndërkombëtar me qëllim verifikimin e rasteve të shmangies së taksave.

Gjithashtu, në deklaratë shprehet mbështetja për planet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, për të penguar kompanitë që përpiqen të transferojnë fitimet jashtë vendit për të shmangur detyrimet ndaj shtetit.

Deklarata u lëshua pas takimit dyditor të vendeve të G20-ës, të mbledhur në Moskë, dhe është konsideruar si një hap i rëndësishëm përpara për krijimin e një sistemi të ndershëm taksimi, që ka si qëllim forcimin e ekonomisë moderne.

Muajin e kaluar, vendet e grupit G8 ranë dakord për një marrëveshje për të luftuar evazionin fiskal dhe vende përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Australinë po bashkëpunojnë në një projekt/pilot për shkëmbimin e informacioneve.

OBEZH deklaroi se ligjet aktuale të taksave, disa prej të cilave datojnë që në 1920-ën, janë krijuar për të shmangur taksimin e dyfishtë të kompanive që punojnë në më shumë se një vend.

Por abuzimi me këtë sistem ka çuar në “mostaksimin e dyfishtë”, deklaron korrespondenti i ekonomisë pranë BBC, Joe Lynam.

Top Channel