Belmokhtar, akuza për ngjarjet në Algjeri

20/07/2013 01:30

Prokurorët amerikanë kanë akuzuar liderin e militantëve islamik, Mokhtar Belmokhtar, për rrethimin vdekjeprurës në një impiant gazi në Algjeri, gjatë muajit janar.

Ai përballet me akuza, që përfshijnë pengmarrjen, mes të cilëve edhe fëmijë, dhe konspiracion në përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Belmokhtar mbetet ende në arrati, ndaj dhe Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 5 milionë dollarë shpërblim, për informacionet që do të çonin në arrestimin e tij.

Tre shtetas amerikanë ishin mes të paktën 37 pengjeve të vrarë, kur trupat ushtarake të Algjerisë mësynë në impiantin Tigantourine. Disa ditë më parë, disa të armatosur kishin rrethuar punonjësit lokalë dhe të huaj, që punonin në atë kompleks.

“Belmokhtar terrorizoi dhe gjakosi ata njerëz të pafajshëm, ndaj dhe tani ne synojmë ta vendosim atë para drejtësisë”, tha Preet Bharara, prokuror i Distriktit Jugor të New York-ut, përmes një deklarate.

Akuzat, e publikuara të premten, bëjnë të ditur se Belmokhtar u shfaq në një video online një ditë pasi rrethimi përfundoi, duke marrë autorësinë e sulmit në emër të al-Qaeda-s.

Top Channel