Tsarnaev, revistat duelojnë për fotot e tij

19/07/2013 02:45

Reagimi i ashpër në lidhje me kopertinën e “Rolling Stone”, ku shfaqej fotoja e të dyshuarit të sulmeve me bombë në Maratonën e Bostonit, Dzhokhar Tsarnaev, çoi në publikimin e disa fotove të reja, të momentit të arrestimit të tij, foto që – sipas një fotografi të policisë – tregojnë “bombarduesin real të Bostonit”.

Ndryshe nga ajo foto e 19-vjeçarit, me flokë të çrregullta, me pamje të qetë e simpatike, në kopertinën e revistës “Rolling Stone”, fotot e reja tregojnë Tsarnaev-in, teksa dilte nga varka ku ishte fshehur: fytyra e tij mbulohej nga gjaku, lëkura e tij ngjyrë hiri ku shkelqente drita e kuqe e lazerit të snajperave.

Në njërën prej tyre, ai ngre bluzen e tij, me sa duket për të treguar se nuk kishte armë poshtë saj; në një tjetër ai mundohet të dalë nga kuverta e varkës së rimorkiuar, me krahun e gjakosur të varur poshtë.

Këto foto janë marrë nga Sean Murphy, reshter i Policisë së Shtetit të Massachusetts-it, dhe u publikuan online nga “Boston Magazine”, mbrëmjen e së enjtes.

Në një deklaratë, që shoqëronte fotot, Murphy e quante kopertinën e “Rolling Stone” si një “ofendim” dhe “lëndim” që u bëhej të mbijetuarve të bombardimeve të 15 prillit.

“Ky djalë është një djall”, thoshte Murphy. “Ky është bombarduesi real i Bostonit. Jo dikush i shkriftuar dhe lustruar, që shfaqej në revistën RS”.

John Wolfson, kryeredaktor i “Boston Magazine”, tha se revista kishte qindra foto të ngjashme dhe do të publikojë edhe më shumë në numrin e saj të shtatorit. Ai shtoi se Murphy ishte “konfliktuar disi” në lidhje me publikimin e fotove, por “i shqetësuar vërtet” në lidhje me ndikimin e kopertinës së “Rolling Stones” te familjet e viktimave.

“Mendoj se ai ishte gjithashtu i shqetësuar se disa njerëz tepër të ndjeshëm mund të joshen për të kundërshtuar atë, për shkak të fotos tërheqëse që ishte në kopertinën e RS”.

Një zëdhënës i Policisë së Shtetit të Massachusetts bëri të ditur se agjencia nuk kishte autorizuar publikimin e fotove.

“Propaganda e sotme e ‘Boston Magazine’ në lidhje me fotot e Dzhokhar Tsarnaev dhe aktivitetin e policisë gjatë arrestimit të tij, nuk janë autorizuar nga Policia e Shtetit të Massachusetts”, tha zëdhënësi David Procopio. “Departamenti nuk do të publikojë fotografitë për organet mediatike. Madje nuk do të komentojë më për këtë ngjarje”.

Top Channel