Si u zbraz Shkupi nga shqiptarët

19/07/2013 00:00

Tërmeti katastrofal që goditi Shkupin në vitin 1963, për shqiptarët ishte më shumë se një katastrofë natyrore. 50 vite pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme dalin në dritë dokumente që dëshmojnë se në atë kohë autoritetet shtetërore, përveç përpjekjeve për të rimëkëmbur qytetin, hartuan edhe projekte për dëbimin e shqiptarëve nga Shkupi, me qëllim ndryshimin e strukturës etnike dhe fetare të popullsisë.

Historiani Skënder Hasani, nga arkivi i Maqedonisë, ka siguruar dokumente që flasin për largimin e 20 mijë shqiptarëve nga Shkupi drejt Kosovës dhe Turqisë, menjëherë pas tërmetit që goditi këtë qytet.

“Shkupi ishte me popullsi dominuese nga shqiptarët, por fill pas implementimit të këtyre projekteve erdhi largimi i 20 mijë shqiptarëve në Kosovë, emigrimi i qindra familjeve në vitin 1963 në Turqi dhe sjellja e 20 mijë sllavëve nga Polonia, Çekosllavakia dhe Maqedonia e Egjeut. Këtu e shohim atë element kyç të ndryshimit të strukturës së popullsisë dhe dominimit sllav në këtë qytet”, deklaron Hasani.

Këto dokumente, që për herë të parë publikohen në Top Channel, shpalosin edhe planin tjetër, atë për ngritjen e ndërtesave të institucioneve shtetërore mbi 30 xhami të rrënuara në atë kohë.

“Në këto dokumente thuhet se, duhet zhfrytëzuar ky moment që këto objekte të hiqen nga faqja e dheut dhe të mos ndërtohen përsëri. Prej asaj periudhe kohore ato objkete nuk ekzistojnë më dhe mbi to kemi ndërtime të tjera të etnokulturës dhe arkitekturës maqedonase”, saktëson Hasani.

Këto të dhëna, bashkë me mijëra dokumente të tjera historike, historiani Skënder Hasani do t’i publikojë në një libër të veçantë për termetin e Shkupit. Termeti që goditi kryeqytetin e Maqedonisë më 26 korrik të vitit 1963 shkatërroi 80 për qind të qytetit, ndërsa jetën e humbën mbi 1.000 persona.

Top Channel