Rruga e Arbërit, zgjidhet financimi

19/07/2013 00:00

Zgjidhet financimi dhe ndërtimi i plotë i Rrugës së Arbërit, e konsideruar si rruga e dytë e Kombit. Lajmin e ka njoftuar vetë kryeministri në detyrë Sali Berisha në profilin e tij në Facebook.

“Të dashur miq, pas mbi një vit tratativash me autoritetet kineze, kompania e ndërtimit numër 1 në Kinë por dhe në botë, CSCEC paraqiti një ofertë për ndërtimin e plotë të 27 km të rrugës së Arbërit që kanë mbetur pa ndërtuar, përfshirë tunelin e Qafë Murrizit dhe Urën e Vashës”, ka njoftuar Berisha.

Ai ka saktësuar se, kompania do bëjë vetë financimin e plotë ose të pjesshëm të ndërtimit të rrugës me një kredi që qeveria kineze i akordon asaj për këtë vepër.

“Sipas një opsioni tjetër, qeveria shqiptare mund të bëhet bashkëfinancuese me shumën 70 milionë euro. Në të dyja rastet pala shqiptare duhet të marrë përsipër pagesën e përvitshme të fitimit të munguar nga trafiku për vitet e nxjerrjes së investimit nga kompania”, shkruan më tej Berisha në profilin e tij.

Ai shton se, oferta, në çdo aspekt, është shumë e leverdisshme pasi nuk rrit borxhin publik dhe mbi bazën e saj do hapet së shpejti tenderi ndërkombëtar.

Me ndërtimin e tunelit të Murrizit distanca midis Shkupit dhe Tiranës shkurtohet me 103 km, kurse ajo midis Peshkopisë, Bulqizës dhe Tiranës bëhet përkatësisht 60 dhe 30 minuta.

Top Channel