
Pas takimit me kreun e qeverise italiane Letta, ku mori mbështetjen për
integrimin në BE, Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij në Itali si
Kryeministër i zgjedhur i Shqipërisë, pati edhe një takim me Ministren e
Jashtme Bonino.
“Jam shumë e kënaqur që pata këtë mundësi të shoh mikun tim Edi Rama në këtë detyrë të re. Njihemi në ulje ngritjet e politikës prej shumë vitesh dhe besoj që së bashku mund të vendosim themelet e një fillimi të ri, një fillimi të ri, jo të miqësisë mes vendeve tona, por një fillim të ri mendoj për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt Europës. E, besoj ndihma se Italisë mund të jetë vërtetë frytdhënëse, si për ne ashtu edhe për shqiptarët. Një rinisje e vërtetë për ne në një rrugë të vështirë, po me shumë shpresa”, tha Bonino, pas takimit me Ramen.
Ish-Kryeministri dhe President i Fondacioni “Italiani Europei”, Massimo D’Alema, gjatë takimit me Ramën e cilësoi fitoren e koalicionit të majtë, si një kthesë të madhe që e afron Shqipërinë me Europën dhe që hap një perspektivë mjaft më të përshpejtuar në bashkëpunim edhe me Italinë.
Në Romë, Edi Rama u takua edhe me ish-kryeministrin Silvio Berluskoni.
“Pata kënaqësinë e madhe të pres këtu kryeministrin që e admiroj prej kohësh, duke pasur mundësi ta njoh që në të kaluarën. Jam i sigurt që do sjellë për Shqipërinë një frymë të re, një frymë hapjeje drejt së ardhmes, bashkë edhe me një mbështetje nga ana e Italisë që gjithmonë e ka parë Shqipërinë si një vend mik, ku sic dimë janë mjaft qytetarë që flasin italisht dhe ku do na pëlqente që mjaft sipërmarrje tonat të kishin selinë e tyre. Në këtë bisedë kemi vendosur mundësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë. Tashmë, do nisim të procedojmë në mënyrë të tillë që të bëhen konkrete dhe që të mund të amplifikohen vërtetë këto raporte bashkëpunimi dhe miqësie,” tha Berluskoni.
Giuliano Amato, një tjetër personalitet i politikës italiane duke vlerësuar figurën e Edi Ramës si kryetar i Bashkisë së Tiranës u shpreh se ai nuk bëri vetëm ngjyrat e shumta, por edhe më shumë se kaq. ‘Kapaciteti i tij i madh, – theksoi Amato, – kultura e tij inovative më në fund është në shërbim të të gjithë vendit, dhe është përfaqësuese e të gjithë forcave politike reformatore shqiptare’. “Kjo është e ardhmja, dhe e ardhmja është Edi Rama,” dekaloi ish-kryeministri Amato.
Ky ishte komenti Edi Ramës pas këtyre takimeve: “Fondacioni ‘Italiani Europei’ është një stacion i pashmangshëm për mua, për ne, socialistët shqiptarë ku gjejmë gjithmonë derën e hapur dhe dy miq të mëdhenj të Shqipërisë Masimo D’Alemën dhe Gulian Amaton me të cilët kemi folur për të ardhmen, për ndihmën që kërkojmë, për eksperiencën që mund të na vënë në dispozicion dhe për burimet njerëzore të paçmueshme që mund të gjejmë falë tyre në mënyrë që jo thjesht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë të shkojnë një hap më tutje por që qeverisja jonë, që politikat tona, që sidomos hapja e një perspektive të re për investimet italiane në Shqipëri të kthehen brenda katër viteve të ardhshme në një realitet të ri shqiptar.”
Top Channel