
Nënsekretari për çështjet zgjedhore në PS, zoti Koli Bele ka bërë të ditur qëndrimin që do të mbajë Partia Socialiste pas vendimit të KQZ-së për të rinumëruar të gjitha votat në dy qarqet në veri të vendit, në Lezhë dhe Shkodër.
Në një lidhje direkte me studion e lajmeve të Top Channel nga selia e PS, zoti Bele iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Ilir Paço.
Paço: Zoti Bele, pse e kundërshtoni vendimin e KQZ-së për rinumërimin e votave në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës?
Bele: Ky vendim i KQZ-së ishte një hap tjetër në absurdin se si ky institucion funksionon. Sot ai po shqyrtonte kërkesën e PS për shpalljen e pavlefshme të një kutie në qarkun Lezhë, që sugjeronte përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark. Mesa duket, e nxitur nga mesazhi i djeshëm në Facebook i Berishës, KQZ tregoi se vepron sipas interesave të PD. Në mënyrë të papreçedentë ky institucion vendosi të numëronte qarkun e Lezhës. Edhe zoti Klement Zguri e kuptoi tre javë pas zgjedhjeve se procesi i numërimit nuk ishte në rrugën e tij.
Paço: Ku e bazoni dyshimin për prekjen e kutive në Lunder, atje ku ato mbahen të magazinuara që pas përfundimit të procesit të numërimit?
Bele: Mënyra se si vepron KQZ-ja, e shkuara e vitit 2011, kur kutitë lëvizën në mënyrë të pakontrolluar dhe votat kaluan nga një kuti në tjetrën, na jep arsye të dyshojmë për gjithçka. Ky institucion po demonstron një mungesë vullneti për të zhvilluar procesin, duke u bashkuar me PD, që në pamundësi për të ndryshuar votën plebishitare po justifikon alibinë e humbjes.
Paço: Pas këtij vendimi për Lezhën dhe Shkodrën, a mund të jetë jetë një trend për të hapur kutitë edhe në qarqet e tjera të vendit dhe procesi i shpalljes së rezultatit final të ketë një shtyrje përtej asaj që ishte parashikuar?
Bele: Ne kemi ngritur dyshimet për këtë proces dhe ato vota të shqiptarëve nuk mund të ndryshohen nga rinumërimi i Lezhës apo i Shkodrës. Por veprimi në kundërshtim me ligjin të jep shkasë për të gjitha dyshimet. Ligji ka afate. Ky proces është i kundraligjshëm. Të gjitha afatet në KQZ kanë përfunduar.
Paço: A mund të ketë ndryshim të rezultatit, pra ulje të numrit të deputetëve të së majtës dhe si do të reagoni nëse kjo do të ndodhë?
Bele: Ne besojmë që mandati i katërt i së majtës në Lezhë është i konsoliduar dhe numërimi do ta kthejë atë. Gjithësesi, PS ka kërkuar pavlefshmëri pasi është një qendër votimi ku kanë votuar në masën 90 për qind. PS është e gatshme të shkojë sërish në votime atje.
Top Channel