
Kur është pothuajse fundi i garës mes dy kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike, mesazhi i Lulzim Bashës për anëtarësinë e partisë ishte shumë i ngjashëm me atë të kryetarit në detyrë Sali Berisha.
Duke vënë dukje tezën se një nga shkaqet e humbjes në zgjedhje ishte mungesa e vëmendjes, mirënjohjes dhe respektit për anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, zoti Basha paralajmëroi analizë të menjëhershme të humbjes, në të cilën tha se do të dëgjohet zëri i çdo anëtari.
“Në vullnetin tim personal sot dhe në besimin tuaj në vullnetin tim si kryetar i ri i Partisë Demokratike, gjëja më e rëndësishme që duhet bërë dhe do të bëhet është analiza e plotë, e gjithanshme dhe me përfshirjen e çdo anëtari të PD, e zgjedhjeve të 23 qershorit, jo për të bërë koka turku, as për gjueti shtrigash, natyrisht as për të larë duart nga përgjegjësitë, por për të parë sy më sy njëri-tjetrin, çfarë gabimesh bëmë, në mënyrë që në bazë të këtyre gabimeve të sigurojmë anëtarësinë e plotë të PD dhe mbështetësit tanë, se do të mësojmë prej tyre dhe do të kthehemi më të vendosur dhe më të fuqishëm se kurrë”, deklaroi Basha.
Për herë të parë, gjatë takimeve në Kukës, Laç dhe Lezhë, zoti Basha ka folur edhe për fenomenin që ai e quajti si “blerje të votave”, kur deklaroi se, nëse ai zgjidhet në krye të Partisë Demokratike do të afrojë pranë opozitës çdokënd që është gati të përballet me mazhorancën e re, të cilen zoti Basha e cilëson si mazhorancën e “premtimeve piramidale”.
“Ne duhet të jemi të vendosur që Partia Demokratike të tregohet një forcë e madhe dhe e hapur, e gatshme të përthithë dhe kapitalizojë çdo energji, çdo forcë që sot e sheh veten në opozitë me mazhorancën e zullumit, të përndjekurit politikë, pronarët, biznesin e vogël, të mesëm dhe grupet e tjera të interesit të ekonomisë shqiptare që presin të përballen me furinë neo-bllokmene të mbushjes së valixheve që i zbrazën duke blerë votat e shqiptarëve, me botën akademike, me shoqërinë civile dhe për ta vektorizuar të fuqishëm sot si energji opozitare e nesër si kusht i një mazhorance që do të vijë në pushtet”, theksoi Basha.
Nga ana tjetër, edhe kandidati Sokol Olldashi ka në fokus të prgramit të tij për drejtimin e Partisë Demokratike, ristrukturimin tërësor të saj. Në një takim me gratë demokrate, zoti Olldashi foli për një raport të ri përfaqësimi në parti të grave dhe vajzave, duke propozuar që Lidhja Demokratike e Gruas të mos jetë më vetëm një organizatë partnere, por të funksionojë brenda strukturës së Partisë Demorkatike.
“Kjo do t’i japë Lidhjes Demokratike të Gruas disa të drejta që sot nuk i ka. Ne praktikisht i japim një zhvillim cilësor statusit të zonjave brenda strukturës politike dhe LDGSH-së një mekanizëm të ri propozimi dhe përfaqësimi brenda të gjithë strukturës së Partisë Demokratike”, deklaroi Olldashi.
Në takime të tjera në njësitë 5, 7 dhe 11 në Tiranë, zoti Olldashi theksoi se platforma e tij për drejtimin e Partisë Demokratike parashikon rikthimin në kryesinë qendrore të kryetarëve të degëve në rrethe një formë, që sipas tij do t’i lejojë qendrës të informohet direkt për gjendjen e partisë në të gjithë vendin. Në platformën e zotit Olldashi parashikohet gjithashtu edhe një format i ri organizimi për degën e partisë për Tiranën, e cila sot shtrihet përtej kryeqytetit.
“Ne kemi nevojë urgjentisht të ndryshojmë strukturën e organizimit të Partisë Demokratike në Tiranë. Është e pamundur që kryetari i Partisë Demokratike në Tiranë, gjatë një mandati 4-vjeçar të arrijë të takojë të gjitha seksionet e degës që ka në parti. Pra, domosdoshmërisht duhet të ndajmë këtë strukturë në disa degë. Ne kemi të njëjtën strukturë unike organizative në Poliçan, që është një qëndër e vogël urbane dhe të njëtën në Tiranë që është 1 milionë banorë”, nënvizoi Olldashi.
Ndërsa në takimet me strukturat në Kamëz dhe Bërzhitë, zoti Olldashi përcolli mesazhin se, nëse ai do të zgjidhet në krye të Partisë Demokratike, demokratët do të përfshihen shumë shpejt në aksione intensive opozitare për t’u rikonfirmuar shumicë.
“Kjo parti nuk ka kohë për të ndenjur në opozitë. Kjo parti është bërë për të qeverisur Shqipërinë dhe për ta çuar këtë vend aty ku ne të gjithë kemi kërkuar që në Dhetorin e 90-ës. Kjo parti duhet një orë e më parë të rikthehet forcë shumice, forcë qeverisëse në Shqipëri”, shtoi Olldashi.
Top Channel