“Londër 2012”, “boom” i ekonomisë britanike

19/07/2013 04:55

Ekonomia britanike ka përjetuar një rritje prej 9,9 miliardë paund në tregti dhe investime, që prej organizimit të Lojrave Olimpike në 2012, si dhe Lojrat Paralimpike, bëjnë të ditur disa kërkime.

Një raport për qeverinë dhe kryebashkiakun e Londrës, atribuon kontrata të reja, shitje shtesë dhe investime të huaja gjatë vitit të fundit, pas Lojrave.

Përllogaritjet e pavarura të cituara në të, sugjerojnë se përfitimet totale të Britanisë do të jenë mes 28 miliardë dhe 41 miliardë paund, deri në vitin 2020. Kostot e projektuara të qeverisë, për organizimin e këtyre dy eventeve madhore sportive, ishin rreth 8,9 miliardë paund.

Veç impaktit financiar të Lojrave, raporti nënvizon edhe influencën e tyre në sportin dhe rigjenerimin. Vullnetarët aktivistë gjatë këtyre dy eventeve inspiruan më shumë njerëz për të ndërmarrë role të ngjashme në komunitetet e tyre.

Sipas raportit, 1,4 milionë njerëz më shumë se sa në 2005-n, kur oferta britanike për organizimin e Lojrave u shpall fituese, tashmë janë duke luajtur sporte të ndryshme të paktën 1 herë në javë, dhe trashëgimia e të gjitha objekteve të përhershme në Parkun Olimpik është siguruar brenda 1 viti pas Lojrave.

Top Channel