Izrael-Palestinë, goditje shpresave për bisedime

19/07/2013 04:40

Palestinezët kanë bërë thirrje për një marrëveshje kufitare, përpara se bisedimet për paqe të vazhdojnë, duke u ndeshur kështu me këmbënguljen e Izraelit për bisedime të pakushtëzuara.

Rifillimi i bisedimeve për paqe mes Izraelit dhe Palestinës është vënë në dyshim, pasi liderët palestinezë kanë bërë thirrje ndaj Izraelit, që të bien dakord mbi kufinjtë e përgjithshëm të shtetit të ardhshëm palestinez, përpara se negociatat e drejtpërdrejta të vazhdojnë.

Kërkesa e tyre, në përfundim të dy takimeve të niveleve të larta gjatë së premtes, bie në kundërshtim me këmbënguljen e Izraelit për të mos paravendosur kushte në lidhje me vazhdimin e bisedimeve.

Liderët palestinezë kërkojnë garanci, që bisedimet do të përfundojnë me një rezultat pozitiv.

Wasel Abu Yussef, një anëtar i komitetit ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, tha se zyrtarët palestinezë vendosën të dërgonin kryenegociatorin, Saeb Erekat, për t’u takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, për “ta informuar atë, se palestinezët kërkojnë garanci në lidhje me kufinjtë e përgjithshëm”.

Kërkesa i referohet kufirit “de facto” të Izraelit, që ndan Izrealin me Bregun Perëndimor dhe lindjen e Jeruzalemit, territore që i ka pushtuar në luftën e vitit 1967, së bashku me Rripin e Gazës.

Palestinezët i pretendojnë këto territore, si pjesë e shtetit të ardhshëm të tyre, pas modifikimeve të arritura në marrëveshjen e “këmbimit të territoreve”, që mund të kalojë blloqet hebreje të banimeve, të ndërtuara në Bregun Perëndimor, si pjesë e Izraelit, në këmbim të territoreve të tjera.

Obama bën thirrje për negociata

Me shpresën për t’i nxitur palët drejt bisedimeve, presidenti amerikan barack Obama i kërkoi, të enjten, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, të punojë me Kerry-n “për rifillimin e negociatave me palestinezët sa më shpejt të jetë e mundur”.

Yussef tha se negociatori Erekat do të kërkojë më shumë sqarime nga Kerry, në lidhje me pritshmëritë e Izraelit. Ai tha se palestinezët nuk kërkojnë të refuzojnë përpjekjet e Kerry-t, për rinisjen e negociatave për paqe.

Top Channel