Francë, lirohet muzikanti norvegjez

19/07/2013 01:50

Muzikanti neo-nazist nga Norvegjia është lënë i lirë vetëm 2 ditë pas arrestimit në Francë, me dyshimin se “po përgatiste një akt madhor terrorist”. Kristian Vikernes u arrestua, pasi gruaja e tij bleu 4 armë.

Zyrtarët thanë se marrja në pyetje e të dyshuarit nuk hodhi dritë mbi ndonjë provë, në lidhje me një komplot terrorist. Vikernes kishte marrë, në të kaluarën, një kopje të manifestit nga ekstremisti i djathtë Anders Behring Breivik, i cili vrau 77 njerëz në Norvegji, në 2011.

Sipas zyrtarëve, Vikernes do të duhet t’u përgjigjet akuzave për nxitje raciale, në lidhje përmbajtjen e disa prej shkrimeve të tij në internet, por asnjë akuzë në lidhje me terrorizmin nuk është ngritur formalisht.

Kristian “Varg” Vikernes u arrestua së bashku me gruan e tij franceze, të martën në Correze, një rajon në qendër të Francës. Ajo u lirua nga arresti pasditen e së mërkurës.

Zyrtarët bënë të ditur se ajo kishte pasur leje për armë zjarri, kur kishte shkuar të blinte 4 armët që cuan në dyshimin e të shoqit.

Top Channel