Detroit shpall falimentimin

19/07/2013 01:20

Detroit dorëzoi dokumentet e falimentimit, mbrëmjen e së enjtes, duke u bërë sektori publik më i madh i falimentuar deri më sot.

Ky veprim, mund të zvogëlojë të ardhurat nga pensionet për punëtorët e qytetit dhe pensionistët, si dhe të lërë mbajtësit e obligacioneve me vetëm disa qindarka në vend të dollarëve.

Falimentimi u shpall nga Menaxheri i Emergjencave, Kevyn Orr, dhe u aprovua nga guvernatori i Michigan-it, Rick Snyder.

Snyder tha se kushtet financiare të qytetit e lanë atë pa asnjë zgjidhje tjetër, dhe se Detroit nuk përmbush dot detyrimet e tij ndaj qytetarëve të tij apo edhe kreditorëve.

“Ne kemi një qytet të madh, i cili ka rënë në tatëpjetë gjatë 60 viteve të fundit”, tha ai në një konferencë për shtyp, pasdite. Ai shtoi se 38% e buxhetit të qytetit është shpenzuar për “kostot ligjore”, si pensionet dhe shërbimet e borxhit, të cilat shkurtojnë kështu shpenzimet për shërbime të tjera në qytet. Ai tha se policia kërkon pothuajse 1 orë për t’u përgjigjur, krahasuar me mesataren kombëtare prej 11 minutash, si dhe 40% e dritave të qytetit janë fikur tashmë. “Kjo është e papranueshme”, përfundoi ai.

Por, sindikatat publike të punëtorëve janë të bindur se do ta luftojnë këtë lëvizje, duke akuzuar se qyteti nuk negocioi me besim të mirë dhe nuk duhet të lejohet t’u largohet detyrimeve, që ka ndaj punonjësve dhe pensionistëve.

Federata e Zjarrfikësve të Detroit-it, bëri të ditur se ishte “tepër e zhgënjyer” me shpalljen e falimentimit.

“Jemi duke punuar me punonjësit e tjerë në Detroit për të formuar një koalicion të unifikuar, për të adresuar shqetësimet financiare të Detroit-it”, tha grupi. “Zjarrfikësit e Detroit-it do të vazhdojnë të mbrojnë dhe të shërbejnë gjatë kësaj periudhe të vështirë, pavarësisht sfidave ekonomike”.

Orr ndali gjithashtu pagesat prej rreth 2 miliardë dollarësh borxh, muajin e kaluar, duke thënë se qyteti e ka shumë të nevojshme të ruajë furnizimin “cash” të saj, që është venitur vazhdimisht.

Qyteti përballet me një total detyrimesh prej 18 miliardë dollarësh. Plani i riorganizimit të Orr ka të bëjë me shkurtimin e 11,5 miliardë dollarë borxhe, në vetëm 2 miliardë USD.

Kjo do të thotë se investitorët dhe pensionistët do të marrin mesatarisht vetëm 17% të asaj që u detyrohet qyteti. Planet specifike për shkurtimet janë ende të panjohura përgjatë gjithë kësaj kohe.

Top Channel