Projektligji i shumëpërfolur për mediat, pasi ka kaluar në qeveri, të enjten ka hyrë edhe në proçedurë parlamentare për miratim. Për Shoqatën e Gazetarëve, drafti i qeverisë është i papranueshëm pasi nuk plotëson standardet evropiane.

“Vlerësojmë se qeveria duhet ta tërheqë projektligjin për mediat, sepse nuk ka asnjë arsyetim dhe nevojë për sjelljen e tij. Në vend të ligjit për media, të cilin nuk e kërkon Shoqata e Gazetarëve, e as Komisioni Evropian, qeveria duhet të ofrojë zgjidhje për fushtatat reklamuese të saj në media dhe donacionet e mediave gjatë fushatës zgjedhore për partitë politike”, ka deklaruar kryetari Naser Selmani.

Sipas gazetarëve, me ligjin për media, qeveria ka për qëllim të vendosë kontroll të plotë mbi fjalën e lirë. “Nuk kemi iluzione se kërkesa jonë për tërheqjen e ligjit do të trajtohet. Ne nuk kemi iluzione as se projekti për heshtjen e gazetarisë kritike do të ndalet, por jemi të detyruar që t’i tregojmë opinionit se ky ligj në mënyrë plotësuese do ta përkeqësojë situatën në të cilën ndodhen mediat dhe gazetarët në Maqedoni”, ka thënë Tamara Çaushidis, kryetare e Sindidatës së Gazetarëve.

Vëretjet e veta në lidhje me projektligjin e qeverisë i ka shprehur edhe OSBE-ja. Sipas kësaj organizate, në draft ka shumë paqartësi, si në pjesët e vetërregullimit të medias, ashtu dhe në revokimin e liçencës, kufizimin e pronësisë, si dhe agjencisë për mediat.

Shqetësim përbën edhe veprimtaria e televizionit publik, por edhe definicioni për gazetarin, i cili edhe me projektligjin e ri mbetet i rrezikuar.

Top Channel