Kuvendi i Kosovës miratoi në leximin e parë pakon ligjore si nevojë e plotësimit të kritereve teknike për liberalizimin e vizave.

Fillimisht deputetët votuan për shmangien nga rregullorja e punës pasi projektligjet kanë ardhur me vonesë në Kuvend dhe deputetët nuk kanë pasur kohë t’i shqyrtojnë në komisionet përkatëse.

Bëhet fjalë për projektligjin për të huajt, projektligjin për shtetësinë e Kosovës, atë për parandalimin dhe luftimin e trafikut të qënieve njerëzore, projektligjin për bashkëpunim në menaxhimin e integruar të kufirit, projektligjin për financimin e subjekteve politike, mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, si dhe projektligin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale.

Ky i fundit, ndonëse u votua, nxiti reagimin e kryetarit të Komisionit për Legjislacion Arben Gashi, i cili tha se do të duhej fillimisht të kalonte në komisionin e tij. Në këtë pikë kritike ishte edhe lëvizja Vetëvendosje.

Lidhur me vonesën e proçedimit të këtyre ligjeve, ministrja e Integrimit Vlora Çitaku tha se ligjet janë vonuar në Bruksel. Sipas saj, qeveria i ka proçeduar në muajin maj dhe vonesa deri më 1 korrik është bërë për shkak të shqyrtimit në Bruksel.

Top Channel