
Përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe ambasadori Alexander Arvizu u takuan me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke patur në fokus të bisedës së tyre përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Siç pohuan të tre për mediat, qëllimi i këtij takimi ishte gjetja dhe shfrytëzimi i mundësive për thithjen e investimeve të huaja, veçanërisht ato amerikane, si dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
Sipas tyre, rëndësi kryesore ka përmirësimi i strukturës së komunikimit mes biznesit dhe qeverisë, ku konsistenca, qartësia dhe parashikueshmëria u cilësuan si elemente kyç për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Zoti Meta tha se, “me përfaqësuesit amerikane ndan qëllime të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, e cila duhet të bazohet në një situatë ekomomike më të mirë, në një klimë biznesi më të mirë dhe në mundës të reja për investitorët e huaj”.
Si ambasadori amerikan, ashtu edhe presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, duke shprehur bindjen se zoti Meta dhe partia kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në qeverisjen e re, theksuan faktin se nga kabineti i ri ata presin një strukturë sa më konkrete, sa me konçize dhe sa më të qëndrueshme përsa i përket funksionimit të biznesit në vend.
Sepse, siç u shpreh ambasadori Arvizu, “nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa punësimi dhe ekonomia, ekonomia dhe punësimi”.
Top Channel