Indi, dhjetëra fëmijë në luftë për jetën

18/07/2013 10:55

Me 22 fëmijë indianë që shoqërohen sot për në banesën e fundit, pasi ndërruan jetë si rrjedhojë e një helmimi ushqimor, dhjetëra të tjerë mbeten në gjendje të rëndë në luftë për jetën.

Fëmijët u helmuan ndërsa hëngrën drekë në mencën e shkollës së tyre dhe aktualisht hetimet nuk kanë arritur të përcaktojnë ende nëse helmimi ushqimor ishte rastësor apo i qëllimshëm.

Ndërsa po hanin oriz dhe patate, një pjesë e fëmijëve nisën të villnin dhe shfaqën probleme në frymëmarrje.

Disa ndërruan jetë në mencë, ndërsa deri sa u bë e qartë që kishte një helmim, 22 kishin vdekur.

Një ngjarje që ka tronditur vendin, ajo në Indi rrezikon edhe të krijojë tensione të reja brenda shtetit të dytë më të populluar të botës (me 1,2 miliardë banorë).

”Kjo është prova se vetë shteti i konsideron qytetarët si të klasit të parë, të dytë apo të tretë. Në zonat jugore të vendit, fëmijëve u shërbehen ushqim i keq, i ndenjur dhe në këtë rast vdekjeprurëse. Kjo nuk ndodh në lagjet e pasura të kryeqytetit”, deklaroi për “CNN” Rhetika Khera, e Institutit të Teknologjisë në Nju Delhi.

Top Channel