Parlamenti grek ka aprovuar ngushtësisht një draft-reformë për sektorin publik, që do të lërë mijëra persona të papunë në Greqi.

Me një votim 153-140, ligjvënësit miratuan projektligjin, që lidhet me huatë e fundit të shpëtimit prej 6,8 miliardë euro, të marra nga Trojka dhe të nevojshme për të mbajtur gjallë Greqinë.

Gjatë debatit, mijëra protestues u mblodhën jashtë parlamentit, në kryeqytetin Athinë. Greqia është goditur së fundi nga një seri grevash kundër shkurtimeve.

Koalicioni qeverisës, i udhëhequr nga kryeministri konservator, Antonis Samaras, tha se nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të përforconte edhe më tej reformat e dhimbshme.

Bazuar mbi këtë draft, më shumë se 4000 punonjës shtetërorë, përfshi mësues dhe punonjës së qeverive lokale, do të përballen me largimin nga puna këtë vit.

Më tej, 25 mijë do të futen në një “grup lëvizshmërie” deri në fund të këtij viti. Punonjësit do të kenë një periudhë 8-mujore të pagueshme me 75% të pagave të tyre, gjatë së cilës do të kërkojnë ripozicionimin, e më pas, nëse nuk arrijnë të gjejnë një tjetër departament ata do të mbeten të papunë.

Shumë grekë besojnë se, sapo të përfshihen në këtë grup, ata do të jenë në mënyrë të paevitueshme “të papunë”.

Mendohet se afro 11 mijë vetë do të humbasin punën deri në fund të vitit 2014, për të përmbushur kështu kërkesat e Trojkës, së përbërë nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Mijëra protestues jashtë ndërtesës së parlamentit, u kthyen në shtëpi tepër të zhgënjyer pas votimit.

Top Channel