Zbatimi i marrëveshjes me Serbinë ka qenë porosia kryesore që komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle i ka dhënë Prishtinës gjatë vizitës së tij në kryeqytetin Kosovar.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hashim Thaçi, Fyle e ka vënë fillimisht theksin tek përpjekjet që duhet të bëjë shteti i Kosovës për frenimin e fluksit të azilkërkuesve dhe emigracionit klandestin.

I pyetur nga gazetarët se sa mund të ndikojë ky fenomen në procesin për liberalizimin e vizave me BE-në, ai ka dhënë këtë përgjigje:

“Pyetja që shtrohet është se sa janë të ndikuara shtetet e prekura nga kërkesat për azil dhe çfarë po bëjnë autoritetet kosovare për të ndalur këtë fenomen. Ne do të mbështesim autoritetet e Kosovës në këtë drejtim dhe shpresoj që brenga e azilkërkuesve nuk do të ketë një ndikim negativ në procesin e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Fyle.

Zbatimi i marrëveshjes me Serbinë ka qenë një tjetër pikë e prekur nga komisioneri, i cili ka vlerësuar angazhimin e deritanishëm të Prishtinës zyrtare, por ka refuzuar të japë sugjerime se si duhet të vijojë implementimi i saj, në mënyrë që Kosova të afrohet sa më shumë me BE-në.

“Nuk mund të ofoj një formulë befasuese në atë për të cilën autoritetet janë angazhuar mjaft mirë, pra në dialogun me Beogradin dhe në implementimin e marrëveshjes. Kam theksuar dhe do përsëris se ne e vlerësojmë shumë qasjen konstruktive dhe pragmatike të kryeministrit, qeverisë dhe autoriteteve të tjera në Prishtinë”, ka nënvizuar Fyle.

Ai është shprehur se, arritja e hapave konkretë në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në fokusin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Më tej komisioneri ka vlerësuar si shumë të rëndësishme nisjen e bisedimeve mes Brukselit dhe Prishtinës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Lidhur me MSA-në, më lejoni të theksoj se pres që negociatat të përfundojnë pranëverën e ardhshme. Me këtë marrëveshje, nga një marrëdhënie që nuk ka ekzistuar është kaluar në një marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Kjo është një arritje e madhe e qytetarëve të Kosovës së pari dhe politikanëve”, ka shtuar Fyle.

Fyle, fjalim në Kuvendin e Kosovës

Pas konferencës zoti Fyle ka mbajtur një fjalim edhe në Kuvendin e Kosovës, ku ka dhënë pak a shumë të njëjtin mesazh, por mbi të gjitha ka premtuar se BE do të vazhdojë partneritetin me Kosovën deri në anëtarësimin e saj në familjen evropiane.

“Kosova duhet të vazhdojë punën normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe në përgjigje të kësaj ne do të përforcojmë ndihmën tonë për Kosovën”, ka deklaruar Fyle, i cili ka theksuar se e ardhmja evropiane e Kosovës është e padiskutueshme.

“Bashkimi Evropian është kthyer në një partner të rëndësishëm. Kosova është vendosur në rrjedhën e fuqishme të zgjerimit të BE-së dhe Unioni është i afruar me të si asnjëherë më parë”, ka nënvizuar komisioneri.

Duke i bërë thirrje klasës politike por edhe qytetarëve të Kosovës që të mos mbeten mbrapa, Fyle ka shprehur shpresën e tij për vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh.

“Ne besojmë tek Kosova, e cila solli rezultate në dialogun me Serbinë. BE do të mbajë premtimin dhe do të vijojë me MSA-në dhe do konsolidojë marrëdhëniet në mënyrë që Kosova të zërë vendin e saj në familjen evropiane”, ka shtuar Fyle.

Top Channel