Ministria e Punëve të Brendshme dhe EULEX-i kanë nënshkruar të martën
marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim të informatave në mes të Policisë
së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në
Kosovë, EULEX.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim shkëmbimin e informatave në mes të dy institucioneve, luftën kundër korrupsionit  dhe krimit të organizuar.

Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi pas nënshkrimit të marrëveshjes, me udhëheqës të EULEX-it.

Ministri Rexhepi gjithashtu shtoi se  kjo marrëveshje plotëson edhe një kusht drejt liberalizmit të vizave.

“Marrëveshja mundëson një shkëmbim më të lehtë të informatave. Ehe më parë kemi bërë shkëmbimin e informatave por tash është krijuar edhe baza legale me detaje teknike. Qëllimi është të jetë një luftë më efikase  të krimit të organizuar si trafikimit me qenie njerëzore etj”.

“Kjo marrëveshje teknike është një ndër kërkesat për liberalizimin e vizave dhe ne nuk jemi anëtarë të Interpolit dhe Europolit, por nëpërmjet kësaj marrëveshje lehtësohet komunikimi dhe shkëmbimi i informatave me këto dy institucioneve shumë të rëndësishme”, u shpreh Rexhepi.

Edhe shefi i EULEX Bernd Borchard tha se ndarja e informacioneve të rasteve kriminale nënkupton një bashkëpunim më të madh dhe partneritet të ngushtë me autoritetet kosovare.

“Mendoj se kjo nuk është thjeshtë një marrëveshje teknike, por ka edhe një mesazh politik. Mesazhi politik është që ne duam të kemi një bashkëpunim dhe partneritet më të ngushtë me autoritet kosovare. Ne besojmë se mund të mbështetemi në autoritet kosovare në ndarjen e informacioneve të ndjeshme. Kjo është një çështje themelore dhe kjo është çfarë do të na shpie neve së bashku përpara”, tha Borchard

Të dy zyrtarët, thanë se janë të përkushtuar maksimalisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe që  ketë sundim të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.

Ndërkohë, ministri, Rexhepi ka folur edhe në lidhje me sigurinë përgjatë kufirit me Serbinë në rajonin e Karaçevës, ku xhandarmëria serbe në disa raste është parë të ketë kaluar brenda vijës kufitare të Kosovës.

Rexhepi tha se me Serbinë ende nuk është bërë demarkacioni i kufirit, prandaj përgjegjësia atje u takon trupave paqeruajtëse të KFOR-it.

Top Channel