Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për fillimin e proçedurave ligjore për  themelimin e komunës së Zhegrës, fshat në rajonin e Gjilanit, e për të cilën ditë më parë kryeministri Hashim Thaçi u premtoi banorëve të këtij lokaliteti.

Ky vendim sipas Thaçit vjen pas kërkesës dhe vullnetit të qytetarëve të atjeshëm. Ndërkaq, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Basri Musmurati ka dhënë arsyetimin se përse Zhegra mund të bëhet komunë.

“Kërkesa për themelimin e kësaj komune është e arsyeshme nga vet banorët e atyre lokaliteteve për shkak se atje është një territor kompakt dhe çka është për t’u theksuar tani është se komplet ky territor fizikisht është i ndarë nga komuna mëmë e Gjilanit me organizimin dhe krijimin e komunës së Parteshit. Ndaj është e arsyeshme që këtu të themelohet një komunë”, ka thënë Musmurati.

Menjëherë pas kësaj, kryeministri Thaçi ka kërkuar nga zëvendësministri Musmurati që të marrë parasysh edhe kërkesat e qytetarëve të lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë, për themelimin e komunës së re.

Ky vendim i qeverisë së Kosovës vjen vetëm pak kohë pasi është vendosur për themelimin e dy komunave të tjera në rajonin e Hasit, komunën e Rugovës dhe asaj të Gjonajve.

Kjo ka ngjallur reagimin e partive opozitare, veçmas LDK-së, zyrtarët e së cilët janë deklaruar se nuk janë kundër themelimit të komunave të reja, por kjo sipas tyre duhet të ndodhë në bazë të kritereve të caktuara dhe se tani po bëhet në prag të zgjedhjeve lokale.

Madje, qeveria e Kosovës në ditën kur pritej të votohej ligji për amnistinë, që ka dalë si detyrim i marrëveshjes me Serbinë, pati tërhequr projektligjin që parasheh themelimin e komunës së Rugovës dhe asaj të Gjonajve, pasi LDK kishte kushtëzuar se nuk do të qëndronte në seancë.

Sipas sekretari të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani janë gjithësej edhe 15 kërkesa të tjera të qytetarëve për themelim të komunave të reja nga të gjitha pjesët e Kosovës.

Top Channel