“Bild”: Berlini e dinte për ‘Prizmin’

17/07/2013 16:05

Tabloidi gjerman “Bild”, duke iu referuar një dokumenti konfidencial të NATO-s, shkruan se ushtria gjermane ka qenë në dijeni të programit amerikan të përgjimeve, Prizmi.

Por zëdhënësi i kancelarisë gjermane dhe shërbimi sekret i jashtëm i vendit, BND, kanë mohuar lajmin duke thënë se bëhet fjalë për informacione të gabuara të revistës.

Dy institucionet kanë sqaruar se bëhet fjalë për një program tjetër me të njëjtin emër të hartuar nga misioni i NATO-s në Afganistan.

Qeveria gjermane deri më sot ka mohuar të ketë qenë në dijeni të programit të përgjimeve të Shteteve të Bashkuara, të zbuluar për publikun muajin e kaluar nga ish-kontraktori Edward Snowden.

Por, pjesë të dokumentit konfidencial të NATO-s, të publikuar nga “Bild” të mërkurën, tregojnë se ushtria gjermane, Bundeswehr, mund të ketë qenë në dijeni për operacionet e NSA-së amerikane që në vitin 2011.

Dokumenti, që është dërguar më 1 shtator 2011 tek të gjitha komandat rajonale të bazave të NATO-s në Afganistan, tregon të dhëna specifike për bashkëpunim mbi një program të quajtur Prizmi, që dokumentat thonë se ishte i njëjti me atë që përdorej nga NSA-ja.

Sipas “Bild”, dokumenti i ishte dërguar edhe komandës rajonale në veri të Afganistanit, e cila drejtohej nga trupat gjermane nën urdhërat e gjeneral-major Markus Kneip.

Nëse raportimi i tabloidit do të jetë i saktë, deklaratat e Berlinit se nuk ka qenë në dijeni të këtij programi do të rezultojnë të rreme.

Por gjatë së mërkurës, zëdhënësi i kancelares Merkel, Steffen Seibert mohoi variantin e “Bild” duke thënë se dokumenti i referohej një programi të hartuar nga trupat e NATO-s dhe jo nga Shtetet e Bashkuara. “Porgramet nuk ishin identike”, tha ai.

Edhe shërbimi i jashtëm gjerman i inteligjencës, BND, mohoi lajmin me një deklaratë për shtyp, duke thënë se programi nuk ishte konfidencial dhe nuk ishte i njëjtë me atë të NSA-së, përveç emrit.

Top Channel