Anija, Panamaja i drejtohet OKB-së

17/07/2013 23:30

Qeveria e Panamasë ka deklaruar se i ka kërkuar ekspertëve të OKB-së që të inspektojnë armët kubaneze të gjetura në anijen koreane të ndaluar në kanalin e Panamasë.

Ekuipazhi i anijes do të akuzohet për krime kundër sigurisë së brendshme të Panamasë, kanë deklaruar autoritetet lokale.

Anija u ndalua javën e kaluar nga marina panameze pasi ngarkesa me mjete ushtarake u gjetën të fshehura poshtë një ngarkese të madhe me thasë sheqeri.

Sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndalojnë furnizimin me armë të Koresë së Veriut për shkak të programit të saj bërthamor.

Më herët qeveria e Kubës pranoi se fshihej prapa dërgesës së armëve të gjetur në anije dhe sqaroi se bëhej fjalë nga armë të epokës sovjetike që ishin dërguar në Kore për t’u riparuar.

Të mërkurën, ministri panamez i Sigurisë, Jose Raul Mulino deklaroi se inspektorët kishin gjetur dy konteinerë të tjerë me armë, përveç atyre që ishin konfiskuar që të shtunën.

Ai tha se Panamaja ka kërkuar këshilla nga OKB për të vepruar në këtë rast, që është konsideruar si një kontrabandë armësh nga Kuba përmes kanalit të vendit latin.

Ministria e Jashtme kubaneze tha më herët se në anije ndodhen 240 tonë armë mbrojtëse të vjetëruara, që janë: dy njësi raketash anti ajrore, nëntë raketa, dy avionë MIG-21 dhe 15 motorë avionësh të të njëjtit lloj.

Top Channel