Banorët e fshatit Karaqevë të Komunës së Kamenicës në kufi me Serbinë janë shqetësuar ditë më parë pasi xhandarmëria serbe ka dalë të premten e kaluar deri në magjistralen që lidh fshatrat kosovarë Karaqevë–Rogaçicë.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka thënë se xhandarmëria serbe po vazhdon të provokojë duke hyrë në territorin e Kosovës, pasi sipas tij, ajo ka dalë në rrugën e asfaltuar që është pjesë e Kosovës dhe kjo paraqet pasiguri për qytetarët.

Duke reaguar gjatë një takimi, Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi tha se përgjegjësia për kufirin e Kosovës me Serbinë është e paqeruajtësve të NATO-s dhe se për shqetësimet e banorëve i kanë informuar edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.

“Për momentin, për arsye se ende nuk është bërë transferimi i kompetencave të vijës së gjelbër kufitare në raport me Serbinë, them se vetëm pasi të bëhet demarkacioni do të dihen tamam pozicionet e qarta… Po natyrisht që ne i kemi informuar dhe bashkarisht janë duke e hetuar rastin a kanë kaluar në territor të Kosovës apo jo”, ka deklaruar Rexhepi.

Banorët e këtij fshati kufitar reaguan të revoltuar nga hyrja e xhandarmërisë serbe. Për këtë arsye ata vendosën në njërën prej rrugëve një pankartë ku shkruhet “Stop xhandarmërisë serbe”, si dhe flamurin e Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Top Channel