Meksikë, arrestohet lideri i “Zetas”

16/07/2013 03:30

Autoritetet meksikane kanë arrestuar liderin e kartelit të pamëshirshëm Zetas, raportoi media shtetërore gjatë së hënës.

Miguel Angel Trevino Morales, i njohur si Z-40, u kap nga autoritetet federale mëngjesin e së hënës, në një operacion të zhvilluar në Tamaulipas, shtetin meksikan në kufirin veri-lindor me SHBA-të, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Notimex.

Arrestimi i tij është goditja më domethënëse ndaj trafikut të drogës në Meksikë, që kur presidenti Enrique Pena Nieto ka ardhur në pushtet në dhjetor.

Autoritetet meksikane kishin ofruar një shpërblim prej 30 milion pesos (2,4 mln USD), ndërsa vet Departamenti amerikan i Shtetit kishte ofruar edhe 5 milionë dollarë të tjerë për informacione, që do të çonin në arrestimin e tij.

Trevino u arrestua në qytetin kufitar të Nuevo Laredo-s, i njohur si selia e kartelit të fuqishëm.

Zetas nisi fillimisht si një krah zbatues i kartelit të gjirit të Meksikës, por më vonë u nda prej tij dhe formoi organizatën e vet të trafikimit të drogës. Që prej atëherë, ai është zgjeruar me funksionet e grabitjes, pengmarrjes dhe kontrabandën e qenieve njerëzore.

Vitin e kaluar, autoritetet meksikane njoftuan se kishin vrarë Heriberto Lazcano Lazcano, i cili kishte qenë lideri i këtij karteli.

Top Channel