Egjipt, betohet qeveria e re

16/07/2013 00:00

Qeveria e re egjiptiane u betua këtë të martë, me shefin e shtabit të ushtrisë, gjeneralin Abdel Fattag al-Sisi, i cili udhëhoqi grushtin e shtetit kundër Mohamed Morsit, në pozicionin e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes.

Hazem al-Beblawi do të jetë kryeministri i ri, ndërsa vendi është vënë që prej “revolucionit” nën drejtimin e presidentit të përkohshëm, Adly Mansour.

Betimi i qeverisë së përkohshme vjen pas një natë tjetër tensioni në shtetin me 84 milionë banorë të Afrikës Veriore, pasi në përballjet me poclinë, shtatë mbështetës të Morsit gjetën vdekjen.

Një zëdhënës i Vëllazërisë Muslimane, partisë nga radhët e të cilës doli president Morsi, e konsideroi qeverinë e re si të paligjshme.

Morsi u largua nga detyra në datën 3 korrik, pasi ushtria vendosi që pas disa javësh protestash të fuqishme anti-qeveritare, të ndërhynte duke larguar qeverinë në pushtet.

Top Channel