Çështja “Martin”, Holder: Hetimi vazhdon

16/07/2013 00:00

Numri 1 i drejtësisë amerikane, Eric Holder ka deklaruar se hetimi mbi vdekjen “tragjike e të panevojshme” të 17-vjeçarit Trayvon Martin do të vazhdojë.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara deklaroi të hënën se i kuptonte shqetësimet e publikut për këtë çështje.

“Departamenti i Drejtësisë ndan të njëjtat shqetësime me ju. Unë personalisht ndaj të njëjtat shqetësime me ju”, tha Holder në një takim me gratë me ngjyrë në Uashington DC.

Zoti Holder tha gjithashtu se vendi do të shfrytëzojë mundësinë që të flasë hapur për çështjet e komplikuara dhe emocionale që vrasja e 17-vjeçarit ka ngritur.

Mbrëmjen e së hënës, një anëtare e jurisë së procesit mbi vrasjen e Martin deklaroi në një intervistë për CNN se zoti Zimmerman kishte qëllime të mira, por ngjarjet rrodhën tmerrësisht keq.

“Mendoj se George Zimmerman është një njeri, zemra e të cilit ishte në vendin e duhur. Ai shkoi përtej asaj që duhet të kishte bërë”, deklaroi anëtarja e jurisë.

Ajo shtoi se beson se Martin ishte agresor në incidentin që u verifikua dhe klithmat e dëgjuara gjatë telefonatës për shërbimet e emergjencës ishin të Zimmerman, që punonte si agjent sigurie.

Presidenti Barack Obama nga ana e tij ka pranuar se çështja ka shkaktuar “pasione të forta”, por ka theksuar se: “Ne jemi një komb ligjesh dhe juria ka folur”.

Ditën e shtunë George Zimmerman u shpall i pafajshëm për vrasjen e 17-vjeçarit me ngjyrë Trayvon Martin, ngjarje e ndodhur në Florida në shkurt të vitit 2012.

Vendimi i gjykatës për pafajësi shkaktoi protesta masive në mbarë Amerikën, me shumë manifestues që aludonin për vendim të marrë mbi baza racore.

Top Channel