
Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeministër në detyrë, Sali Berisha nëpërmjet profilit të tij në Facebook iu drejtua anëtarësisë së Partisë Demokratike, duke e falenderuar, për atë që ai e quajti “pritje dinjitoze që po dëshmojnë në takimet me kandidatët në këtë garë.
“Të dashur miq, me këtë mesazh dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh krenarinë time me ju anëtarët dhe anëtaret e PD-së për qëndrimin e qytetëruar, pritjen dinjitoze që po dëshmoni në takimet me kandidatët tanë në garë për kryetar të Partisë Demokratike. Me këto qëndrime ju po ndërtoni një vlerë të re, një mekanizëm të ri të demokracisë sonë, atë të zgjedhjes direkte të liderit të PD-së. Kjo ka rëndësi kombëtare”, thotë Berisha.
Më tej, kryetari i dorëhequr i demokratëve vlerëson procesin sipas parimit “një anëtar, një votë” dhe fton të gjithë votuesit të zgjedhin kandidatin e tyre të preferuar pa u ndikuar nga asgjë dhe askush.
“Sot i tërë pushteti i PD-së qëndron tërësisht në votën tuaj. Në këtë garë të gjithë anëtarët e PD-së, pavarësisht me ose pa funksione partiake ose shtetërore jemi më të barabartë se kurrë në pushtetin tonë për zgjedhjen e liderit të ri të partisë sonë. Çdonjëri nga ne ka një dhe vetëm një votë. Me besim të plotë në mençurinë, vullnetin, ndërshmërine tuaj, ju ftoj miqësisht në interesin më të mirë tuajin dhe të PD të përdorni votën tuaj jashtë çdo ndikimi për të zgjedhur në krye të PD-së kandidatin që ju besoni dhe vlerësoni se do te na udhëheqë më me siguri drejt fitores tonë të ardhshme”, përfundon mesazhi i Berishës.
Top Channel