Australi, ndryshime në taksën e karbonit

16/07/2013 00:00

Qeveria australiane deklaron se plani i saj për të reduktuar taksën e
karbonit do të kushtojë të paktën 3.8 miliardë dollarë australianë, ose
3.5 miliardë USD.

Kryeministri Kevin Rudd deklaroi se lëvizja, e sinjalizuar të dielën e kaluar, do të bazohet në kursime alternative, që sipas tij do të thotë se familjet nuk do të vuajnë pasoja.

Duke folur nga qyteti Taunsvill i shtetit të Kuinslendit, Rudd saktësoi se synon ta heqë taksën mbi emetimet e karbonit më 30 korrik 2014 dhe të aplikojë një skemë tregtie sipas modelit europian.

Njoftimi vjen pak kohë para zgjedhjeve, që duhet të mbahen para fundit të muajit nëntor. Taksa e karbonit u vendos nga parardhësja e zotit Rudd, kryeministrja Julia Gillard, e cila u rrëzua nga posti i kryetares së partisë muajin e kaluar.

Që nga ndryshimi i lidershipit, laburistët kanë parë një rritje domethënëse të popullaritetit në sondazhe, që gjatë drejtimit nga Gillard ishte shumë i ulët.

Zonja Gillard kishte caktuar datën 14 shtator për zgjedhjet, por zoti Rudd bëri me dije se do ta ndryshojë atë, por pa saktësuar se kur.

Ndërkohë, lideri i opozitës, Tony Abbott, që deklaronte i bindur se do ta mundte Gillard në zgjedhje, i ka kërkuar Rudd që të caktojë datën sa më shpejt të jetë e mundur.

Top Channel